Emisari për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar për vizitë në Britaninë e Madhe.
Përmes rrjeteve sociale, diplomati sllovak bëri të ditur se Britania e Madhe e ka lartë në agjendë Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dialogun Kosovë – Serbi.
Tutje, ndërmjetësi Lajçak tha se pati biseda të thella me shumë personalitete nga bota e diplomacisë.
Mirëpo i befasuar më këtë vizitë të diplomatit sllovak në Britani po shprehet historiani, Daut Dauti.
Dauti thotë se Lajçak nuk pati takime me përfaqësues të lartë të qeverisë së re britanike.
“Ishte një vizitë e çuditshme dhe kontroverse e tij duke i pasur parasysh deklaratat që i ka dhënë në publik. Ai ka thënë se ka qëndruar në Britani të Madhe për ta marrë qëndrimin e qeverisë së re Laburiste në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, mirëpo ai nuk është takuar më asnjë anëtar të qeverisë britanike. Nëse ai nuk është takuar me përfaqësuesit e lartë politik atëherë si e ka marrë qëndrimin e Britanisë për dialogun Kosovë – Serbi” , thotë historiani Dauti
Dauti nuk pret një qasje të re të Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor pavarësisht ndryshimeve të mëdha politike ku partia Laburiste fitoi shumicën parlamentare.
“Nuk pres që do të ketë ndonjë ndryshim radikal nga kjo qeveri. Britania do të vazhdoj të angazhohet për Ballkanin Perëndimor sikurse në të kaluarën. Qeveria e mëparshme ka qenë mjaft aktive dhe ka pasur një politikë që ka shkuar në favor të Kosovës”, ka thënë ai.
Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025.