Jelekun dhe helmetën i vendosi.
Gjithçka po shkonte ashtu siç ishte planifikuar.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama së bashku me nënkryetaren Jehona Lushaku-Sadriu vendosen gur-themelin e ndërtimit të shkollës në lagjen “Kalabria”.
Por, dikujt nuk i pëlqeu fare ky veprim.
Refik Rafuna, banor i kësaj lagje erdhi për të penguar procesin me arsyetimin se kjo shkollë po ndërtohet në pronën e tij.
“Kjo shkollë duhet të ndalet, dëgjom ti mu, largoje këtë gur – themel, dëgjom se këtu ma keni sjellë shpirtin, plus për maltretimin që ja keni bërë familjes time që një muaj, këtu nuk bëhet shkolla, vetëm nëse vdes unë, nëse mu thoni që të vdes për këtë shkollë, atëherë po”, tha Rafuna.
Rafuna tha se kjo pronë është prej 1964 e tij.
E për këtë çështje Rama tha se nuk do t’i bëhet askujt e padrejtë, megjithatë deklaroi se puna për ndërtimin e shkollës duhet të vazhdojë.
“Punët duhet të vazhdojnë, ne këtu e kemi këtë pronë si të Komunës edhe si e tillë e kemi projektin për shkollën 6 mijë e 500 metra katrorë, dmth është më se e nevojshme për zonën e Kalabrisë. E dini që e kemi një densitet të lartë këtu dhe nuk kemi shkollë e cila i plotëson kushtet për këtë zonë. Kjo ka me qenë një shkollë për 800 deri në 1000 nxënës”, tha Rama.
Kryetari i kryeqytetit e ftoi në një takim Rafunën, të mërkurën në orën 07:30.
Pas kësaj, nënkryetarja e Prishtinës, tregoi që vlera e këtij projekti është 2.8 milionë euro.
“Kjo shkollë është jashtëzakonisht e rëndësishme për shkak se shkarkon njërin prej anekseve më të ngarkuara me qytetarë, kërkesa është jashtëzakonisht shumë e madhe dhe kjo shkollë i shkarkon shkollën ‘Dardania’, ‘Hasan Prishtina’, ‘Faik Konica’ dhe ‘Xhemajl Mustafa’”, tha nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lluaku-Sadriu.
Kryetari i Komunës ka thënë që vendimi i shkallës së parë i Gjykatë Themelore për këtë rast konfirmon pronësinë e komunës.