Madje, Abdixhiku, thotë se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvend, derisa të formohet ky komision.
Kjo pasi që siç po thotë Abdixhiku, ka ndodhur një menaxhim, siç e ka quajtur ai skandaloz në menaxhimin e krizës në energji.
“Ne kemi vendosur që të mos votojmë dhe të mos marrim pjesë në asnjë votim përderisa të themelohet Komisioni Hetimor për krizën energjetike, sepse konsiderojmë se është e drejtë kushtetuese por mbi të gjitha e konsiderojmë të drejtë të qytetarëve tanë. Ka ndodhur një menaxhim skandaloz i krizës energjetike në Kosovë, nga zyrtarët më të lartë qeverisës. Një papërgjegjësi e paparë prej muajve të verës, vjeshtës dhe krizës së madhe në dimër dhe ka ndodhur një përfundim skandaloz që i merr Kosovës 120 milionë euro, iu vendos në një kompani private dhe i rrit faturat e energjisë elektrike deri në 100%”, tha ai.
Lidhur me procesin e menaxhimit të krizës energjetike, Abdixhiku tha se Kosovës i duhet transparencë e plote.
“Për këtë Kosovës i duhet transparencë e plotë, ne po kërkojmë transparencë. Ne po kërkojmë Komision Hetimor dhe arsyetimet e kota të pushtit për çështje ligjore rreth themelimit dhe të pavërteta dhe të pasakta nuk mund ta ndalim këtë Komision”, deklaroi Abdixhiku.
Ai pati edhe një porosi për Qeverinë Kurti.
“Unë i dërgojë një mesazh të qartë kësaj qeverie. Nëse ka ndodhur krimi dhe tentoni ta fshehin me mosvotim të Komisionit Hetimor nuk do të fshihet. Ai mbetet atyre. Herët ose vonë do të merremi me këtë çështje. E ftoj pushtetin që të zhbllokojë këtë të drejtë kushtetuese të opozitës. Janë 40 nënshkrime dhe pa zhbllokimin e kësaj gjendje, pa aprovimin Komisionit Hetimor që i jep transparencë të plotë fondeve 120 milionë euro të qytetarëve tanë dhe shtrenjtimit të faturave energjetike deri në 100% nuk do të ketë votim të opozitës në parlament. E kanë të kotë. Mos të bëjnë propagandë, mos të lodhen fare. Komisioni Hetimor para votimeve të tjera”, tha ai.
Ai paralajmëroi se do të insistojnë për të krijuar këtë komision.
“Sa më shumë që e fshehin, sa më shumë që bëjnë përpjekje për ta fshehur, më shumë do të insistojmë sepse kuptojmë që prapa fshehjes së tyre ka diçka të madhe të vërtetë dhe të dhimbshme e korruptive”, ka thënë ai.