Urdhrin e konfirmoi, e gatishmërinë e kanë në dispozicion.
Me vëmendje të fokusuar për tu nisur drejtë rrugës për parakalim, armët i mbajnë fort, e emocionet nuk janë të pakta.
Kështu edhe nisi parakalimi i Njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës në sheshet e Prishtinës, të cilët kësaj radhe, u paraqitën edhe me armë dhe pajisje te reja ushtarake.
Përveç ushtarakëve, në ceremoninë e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, parakaluan edhe Policia e Kosovës bashkë me njësitet e saja speciale.
E presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës bashkë me aleatët e saj, ishte për të drejtën e qytetarëve.
“Lufta jonë nuk ishte vetëm e jona, në Kosovë më 1999 u mbrojt e drejta, e popujve për të qenë i lirë, në këtë luftë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte shtylla jonë, më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës, gratë dhe burrat trima, morrën armët për ta mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar, lufta e tyre nuk ishte vetëm për tokën, por për vet shpirtin e Kosovës”, tha presidentja Osmani.
Kryeministri, Albin Kurti, tha se këtë vit Forcës së Sigurisë të Kosovës, do t’i shtohen edhe 600 rekrut të rinj, ndërsa tha se sot FSK, është mirë e armatosur dhe e gatshme për çdo përballje me armikun.
“ Trefishimi i investimeve në armatime, prej nga ushtarët tonë që deri para pak kohësh kishin vetëm armatim të lehtë personal, tani janë pajisur edhe me armë të kalibrave të rëndë, me mijëra tyta artilerie dhe deri me dronët bajraktar të cilëve së shpejti do t’iu shtohet edhe sistemi amerikan raketor, anti-tank, javeline. Ushtria e Kosovës kurrë nuk nuk ka qenë më e fuqishme edhe më e gatshme, për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin e shtetit tonë, dhe jetët e qytetarëve tanë”, tha Kurti.
Ish sekretari i NATO-s, Lordi George Robertson, ka kujtuar kohën e intervenimit në Kosovë dhe objektivat e plotësuara të NATO-s.
“ E dinim se mosveprimi ynë do të lejonte Millosheviqin që të vazhdonte edhe më tej spastrimin etnik të shqiptarëve nga vendi i tyre. Atë që duhet bërë e bëmë dhe 78 ditë më vonë, e pamë objektivin tonë të plotësuar. Ushtria e Millosheviqit u largua, NATO hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi”, tha Robertson.
Ndërkohë, Ministri i Ministrisë së Mbrojtës, Ejup Maqedonci ka thënë se në 25 vjetorin e çlirimit të vendit, nuk janë ekspozuar pajisjet e rënda për shkak se janë forma më shumë të lindjes dhe jo vendeve të NATO-s.
Maqedonci ka thënë se automjete, drone dhe tjera nuk demonstrojnë në parada.
Krejt këtë ceremoni, nga afër e përcollën edhe qytetarët të cilët i bënë ballë edhe temperaturave të larta.