Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Shumica e vendeve anëtarë kanë votuar pro, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar. Nga Sofja e Bullgarisë, kryesuesi i delegacionit Kosovar, deputeti Driton Hyseni, ka thënë se për tri ditë u përballën me një fushatë të egër të shtetit serb.
Pyetjes për avancimin e statusit të Kosovës, shumica iu përgjigjën pozitivisht.
Është ky momenti kur delegatët në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, votuan qe Kosova ta ndryshojë statusin.
Nga ky moment, Kuvendi i Kosovës edhe zyrtarisht u bë anëtar i asociuar në këtë asamble.
E gjitha kjo ndodhi në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Sofje të Bullgarisë.
Nga kryeqyteti Bullgar, kryesuesi i delegacionit kosovar, Driton Hyseni për Tëvë1, tha se kjo erdhi pas bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
“Fatmirësisht më shumicën e votave të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, vendimi që ishte marrë nga komiteti drejtues me 24 mars në Estoni, u mbështet me shumicën e deputetëve të cilët ishin sot në AP të NATO-s dhe kështu Kosova, respektivisht Kuvendi i saj, që nga sot do të ketë një status tjetër i cili i jep më shumë hapësirë fushëveprimit në kuadër të kësaj asambleje”, tha kryesuesi i delegacionit, Driton Hyseni.
E gjatë tri ditëve të punimeve në hapjen e sesionit pranveror në këtë asamble, delegacioni i Kosovës, u përball me një fushatë e egër të shtetit serb.
Krejt kjo për ta penguar avancimin e statusit të Kosovës në këtë organ.
“Pothuajse të gjitha delegacionet iu është dërguar një letër nga ana e Kryetarës së Kuvendit të Republikës së Serbisë, Bernabiq, përmes të cilës letër ajo tenton që me disa argumente të justifikoj qëndrimin që ka nevojë ta mbaj asambleja e NATO-s në raport me Kosovën dhe rrjedhimisht mos ta fut në agjendë dhe të mos e përkrah ngritjen e nivelit të prezencës tonë në këtë asamble. 9:35 Dua që t’i falënderoj delegatët që kanë votuar pro por edhe t’i uroj edhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë hap që na afron më shumë me strukturat e Aleancës Veriatlantike”, u shpreh Hyseni.
Delegatët që votuan pro avancimit të statusit të Kosovës, i ka falënderuar edhe kryeministri, Albin Kurti.
“Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Mirënjohëse është shprehur edhe presidentja e Kosovës.
“Kjo lëvizje siguron që zëri i njerëzve më pro NATO-s në tokë u dëgjua. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ëhstë shprehur presidentja Vjosa Osmani.
Për zgjedhjen si anëtare e acociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Kosovën e ka uruar edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe krerët e opozitës në vend.
Ndryshe, një vend votoi kundër ngritjes se statusit të Kuvendit të Kosovës dhe 14 të tjera abstenuan.