Ishte ndërmjetësues për 2 vite në dialogun Kosovë – Serbi.
Ndonëse nuk arriti të finalizon marrëveshjen midis dy vendeve, Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se do duhet të kishte më shumë presion ndaj palëve.
Diplomati amerikan thotë se nuk ka pas interesim nga të dyja palët për të çuar përpara marrëveshjet e arritura, ndonëse insistimi sipas tij do duhet të ishte më shumë në implementimin e plotë të Asociacionit.
“Ne duhej të insistonim më shumë në implementimin e plotë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, se në ndërmjetësimin që të dyja palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste e kemi vërejtur mungesën e vullnetit të mirë nga të dyja palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është kyç për Kosovën. Është më i vështiri dhe si më i vështiri ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal të vullnetit të saj për të adresuar çështjen e minoritetit serb në territorin e saj”, deklaroi Escobar.
E në ditën që po mbahet mbledhja e nivelit ekzekutiv të ministrave të Këshillit të Evropës, Kosova mbeti jashtë rendit të ditës.
Për këtë, ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Bearbock , ka thënë se Kosova do të përfshihej në agjendë, nëse qeveria aktuale do të dorëzonte draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, para mbledhjes së Komitetit të Ministrave.
“Qeveria gjermane është e mendimit se një shumicë prej 2/3 në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për aplikimin e Kosovës për anëtarësim do të sigurohej, nëse qeveria Kurti do të dorëzonte këtë draft në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim para mbledhjes së Komitetit të Ministrave. Pasi të ndërmerret ky hap, një votim në Komitetin e Ministrave mund të vendoset në rendin e ditës me një perspektivë të arsyeshme për një shumicë prej 2/3 midis shteteve anëtare që kanë të drejtë vote. Qeveria gjermane po e mbështet Kosovën në përmbushjen e të gjitha parakushteve për pranimin në Këshillin e Evropës”, tha Baerbock.
Në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, Këshilli i Evropës, konfirmoi se kanë pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e KiE-së, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, sipas tyre, kjo tashmë po shqyrtohet.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”
Në anën tjetër, Kosova nuk u bë pjesë e agjendës ditore të Këshillit të Evropës, pasi që Qeveria nuk ndërmori hapa drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ashtu siç iu kërkua nga faktori ndërkombëtar.