Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar të enjten kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishitnë për të dyshuarit Skender dhe Albion Tasholli, të cilët dyshohen se shkaku i fajdeve e kanë shtyrë në vetëvrasje të riun në Graçanicë.
Ndërsa, për Ekrem Gashin si i dyshuar i tretë, kërkohet që të lëshohet urdhërarrest pasi i njëjti gjendet në arrati.
Në kërkesën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Skender Tasholli, Albion Tasholli dhe Ekrem Gashi, i kanë bërë presion të vazhdueshëm viktimës duke i kërkuar para me fajde, e që për shkak të presionit dhe kërcënimit të vazhdueshme, i riu B.S., më 14 maj ka kryer vetëvrasje.
“Ekziston dyshimi i bazuar se personat e dyshuar Skender Tasholli, Albion Tasholli dhe Ekrem Gashi në mënyrë të vazhdueshme i kanë bërë presion viktimës të kontrakton një shumë dukshëm jopropercionale të pasurisë në këmbim të shërbimit të personit tjetër duke e shfrytëzuar gjendjen e rendë financiare të personit të tillë, ku kanë kërkuar shuma të parave me fajde dhe për shkak të presionit dhe kërcënimeve ka shtytë B.S të kryej aktin e vetëvrasjes”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, viktima e kishte lënë një letër, në të cilën theksohet se personat e lartpërmendur e kishin futur në fajde.
“… si rezultat i veprimeve të pandehurve, i njëjti e ka lënë edhe një letër të shkruajtur me dorë ku thekson se të pandehurit e kanë shti në fajde”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Me këto veprime, tre të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” nga neni 177, paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Fajdeja” nga neni 331, paragrafi 3 i KPRK-së.
Në arsyetimin e kësaj kërkese, thuhet se pas vlerësimit dhe analizimit të kallëzimit penal dhe provave të tjera materale, Prokuroria e sheh të arsyeshëm caktimin e masës së paraburgimit pasi që sipas tyre janë plotësuar të gjitha kushtet për aplikimin e kësaj mase.
Pra, sipas tyre ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale, nuk është hera e parë që ata bien ndesh me ligjin e po ashtu fakti që njëri nga ata është ende në arrati, tregon se nëse këta persona lihen në liri mund të arratisen ose të pengojnë rrjedhjen e procedurave.
Ekrem Gashi thuhet se u arrestua në Shqipëri për vepër tjetër penale
Po në të njëjtën datë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për dhënien e urdhërarrest ndaj Ekrem Gashit, i cili gjendet në arrati.
Në arsyetimin e kërkesës, thuhet se Prokuroria më 15 maj 2024 ka pranuar kallëzimin penal nga Policia e Kosovës kundër të dyshuarve Skender Tasholli, Albion Tasholli dhe Ekrem Gashi për veprën penale “Shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” dhe “Fajdeja”.
Kurse më 16 maj, Prokurori i Shtetit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve kundër të pandehurit Ekrem Gashi për veprën penale “Shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” dhe “Fajdeja”.
Sipas Prokurorisë, pas analizimit të shkresave të lëndës dhe veprimeve preliminare, gjeti se i pandehuri Ekrem Gashi gjatë fazës së hetimeve iu është shmangur ftesave të Policisë për intervistim dhe gjendet në arrati edhe sot e kësaj dite. Ndërsa, thuhet se sipas informacioneve që i njëjti pasi i është shmangur organeve të drejtësisë në Kosovë, është arrestuar për një vepër tjetër që kërkohet me urdhërarrest ndërkombëtar.
Andaj, thuhet se është e nevojshme të lëshohet urdhëresa për shoqërimin dhe sjelljen me dhunë për të pandehurin Gashi, në momentin e parë në të cilin haset në territorin e Kosovës dhe të dërgohet në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me qëllim të intervistimit.
“Departamenti i krimeve te renda pas analizimit te shkresave të lëndës, dhe veprimeve preliminare gjeti se i pandehuri Ekrem Gashi gate fazës së hetimeve u është shmangur ftesave te policisë për intervistim dhe gjendet ne arrati sot e kësaj dite, nga informacionet e marr i njëjti pasi qe ju ka shmangur organeve te drejtësisë ne Kosove është arrestuar ne Shqipëri për një vepër tjetër qe kërkohet me urdhër arrest ndërkombëtar”, thuhet në kërkesë duke shtuar se Gashi duhet të sjellët para drejtësisë në momentin e parë që has në territorin e Kosovës”, thuhet në kërkesë. /Betimiperdrejtesi/