Dështim i sistemit të drejtësisë dhe efekt i mungesës së zbatimit të kornizave ligjore po shihen shfaqja e rasteve të kompensimit të dëmit për personat e dënuar apo arrestuar pa arsye. Për këtë kategori, shteti çdo vit paguan vlera tre shifrore.
Për një vit kalendarik, 117 persona morën kompensim nga shteti i Kosovës, për arrestimin ose dënimin e tyre pa arsye.
Vlera totale e këtyre kompensimeve tejkalon shifrën e 347 mijë eurove sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Mirëpo, këto nuk janë rastet e vetme në Komisionin për kompensim dëmi që funksionon në kuadër të KGJK-së.
33 persona nuk janë përcaktuar për ofertën e komisionit, 13 kërkesa janë refuzuar, kurse 9 persona nuk janë dakorduar me shumën e ofruar si kompensim.
Në dispozicion të personave të dënuar apo arrestuar pa arsye, me legjisalcionin në fuqi janë dy lloje te kompensimeve.
“Njihen dy lloje të kompensimeve, e para kompensimi i dëmit apo i fitimit të munguar, që i bie se nëse është dënuar apo arrestuar dikush pa faj që ka qenë në punë, shteti ka për detyrë që t’ia paguajë varësisht nga koha sa ka qenë i arrestuar pagën bruto që e ka pasur në kohën kur është arrestuar apo dënuar kundërligjshëm. Çka është diskutabile është kompensimi i dëmit jomaterial që i bie dëmtimi i nderit apo personalitetit, që realisht janë shuma simbolike që shteti i mbulon”, tha avokati Qendrim Arifi.
Gjithë këto shpenzime vlerësohet se vijnë si rezultat i dështimeve të sistemit të drejtësisë dhe moszbatueshmërisë së legjislacionit në fuqi.
“Nuk analizohet mirë situata, gjendja faktike e personave të cilat janë të akuzuar për vepra penale , në mënyrë që ata persona t’i nënshtrohen një procesi gjyqësor të mbrojtjes në liri. Mirëpo, edhe nga ana tjetër si pasojë e mungesës së zbatimit të kornizës tjetër ligjore, sepse po ta kishim të zbatueshëm ligjin për mbikëqyrje elektronike atërherë do të ishte shumë më mirë dhe do t’i kushtonte shumë më pak buxhetit të Kosovës.”, tha Anton Nrecaj nga Instituti “Clard”
Kompetencë e komisionit është shqyrtimi dhe lidhja e marrëveshjeve jashtëgjyqësore me personat të cilët kanë ushtruar kërkesa për kompensim dëmi për personat e dënuar, ose arrestuar pa arsye.