Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, duke folur për kundërshtimet që kanë hasur për miratimin e Kodit Civil nga disa deputetë të Vetëvendosjes, por edhe mosgatishmërinë e opozitës për ta votuar, ka thënë se po synojnë që të kenë një votim “bipartizan”.
Ai ka thënë se votimi i këtij kodi nga gjitha partitë shqiptare është domosdoshmëri.
“Ne po synojmë që të ketë një votim bipartizan të Kodit Civil dhe kjo ide për votim për ide të gjitha partive shqiptare nuk është një utopike, është një domosdoshmëri jo vetëm komuniteti juridik po dhe qytetarët e Republikës së Kosovës… I kuptoj kundërshtimet e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje por edhe të partive opozitare, fundja ata të partive opozitare e kanë një kauzë që kjo shumicë paralamnetar të dështojë në votimime”, ka thënë Qorrolli në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ai ka thënë se po bisedojnë me deputetët e shumicës që të sigurojnë votat e mjaftueshme kur Kodi Civil të dërgohet në Kuvend, ndërsa shtoi se nuk është vënë në rend dite deri tash pasi nuk kanë qenë votat e siguruara.
Sipas Qorrolli ka disa keqkuptime nga deputetët kundërshtues për këtë çështje
Ai ka thënë se është në interes të gjitha partive politike të japin konsensusin e tyre që ky kod të marrë epilog.
Angazhim për të siguruar vota për Kodin Civil ka premtuar edhe vet kryeministri Kurti ditë më parë.
Por, atij i ka reaguar të hënën deputeti Eman Rrahmani.
“KURRË dhe me asnjë çmim nuk do të votoj ligje që cenojnë FAMILJEN!”, ka shkruar ai.