Profesori universitar, Seb Bytyqi ka folur lidhur me rezultatet e sotme të takimit në Bruksel të palës kosovare e asaj serbe, si dhe të priturat nga takimi i radhës pas dy javësh. Bytyqi ka vlerësuar se çështja e dinarit do të gjejë zgjidhje brenda disa javësh.
Sipas tij, afati kohor prej dy javësh deri në takimin e radhës, më shumë vlen për Serbinë e cila nuk ka bërë asnjë lëvizje drejt një kompromisi.
“Tashmë ka një afat dhe që kryesisht afati është për Serbinë, sepse Kosova është pajtuar me një propozim që mund të negociohet, nuk është patjetër version i fundit, por që është si version i mirë që Kosova mund ta pranoj. Por, që Serbia nuk ka asnjë shenjë që ka bërë ndonjë lëvizje drejt një kompromisi dhe ky afat dyjavor apo edhe pak më i gjatë më shumë vlen për Serbinë dhe siç e pashë u tha që është edhe një hap tjetër që mund të ndodhë që është përcaktimi i fajtorit që në këtë rast do të ishte Serbia ajo që nuk e ka pranuar propozimin. Mund të ndodhë që brenda disa javëve të zgjidhjet kjo çështje”, është shprehur ai në emisionin “Ditari” në TËVË 1.
Më tej, Bytyqi ka theksuar se nëse nuk ka ndonjë lëvizje nga shteti serb, vendimi aktual i Kosovës për dinarin do të mbetet në fuqi si i tillë.
“Nëse Serbia nuk pajtohet që të lëviz drejt një kompromisi situata në terren do të ishte e tillë që mbetet në fuqi ky version që e ka caktuar Kosova dhe gjithçka tjetër pastaj varet nga vullneti i mirë i Kosovës dhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, dhe sa i merr parasysh Kosova ato kërkesa për të bërë lëshimet për qytetarët apo lehtësime. Logjikisht nuk do të duhej të zvarritej kjo çështje”, është shprehur ai.
Ndërsa, ai ka konsideruar se Kosova nuk do të bëjë asnjë lloj kompromisi që shkel ligjet e vendit dhe që prek rregulloren e BQK-së.,
“Qëndrimi i Kosovës është që nuk mund të ketë një kompromis që i shkel ligjet e Kosovës dhe që e prek rregulloren e BQK-së dhe rregullorja mendoj që lë mjaftë hapësirë për tu bërë zgjedhjet e mundshme”, ka shtuar profesori.
Ndryshe, sot u mbajt takimi i tretë, Kosovë-Serbi në Bruksel, për arritjen e një zgjidhje për dinarin, por që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se pala serbe nuk është e gatshme t’i jep prioritet interesave të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë. /teve1.info/