Zëvendësdrejtori rajonal për veriun e Kosovës, Veton Elshani ka thënë se kanë qenë në dijeni, një ditë më parë nga partnerët e KFOR-it për ushtrimin që ka pasur ushtria serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
Elshani për Tëvë1 ka thënë se nuk ka qenë befasi për ta dhe se Policia e Kosovës i ka parë ato pamje – por sipas tij, nuk kanë paraqitur ndonjë problem.
“Në fakt për ushtrimin e ushtrisë serbe ne kemi pas informacion nga partnerët tonë të KFOR-it të cilët na kanë njoftu, të paktën unë e kam ditë më herët që do të ketë ushtrim një ditë më vonë dhe nuk ka qenë befasi për neve. Kështu që po është e vërtetë, pamjet janë tonat ne i kemi pa ata, kemi qenë në afërsi të vendit edhe ne sepse jemi duke kontrollu kufirin tonë por nuk ka pas ndonjë problem për me theksu”, ka deklaruar Elshani.
Ndryshe, Kurti mbrëmë ka publikuar një video ku shihet pjesëtarë të Ushtrisë së serbe disa metra larg kufirit të Kosovës.
Ai ka thënë se pamjet janë bërë gjatë ditës së mërkurë, në në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Kurti ka deklaruar se këto pamje vijnë disa ditë pas kërcënimit të presidentit serb Vuçiq.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shkruar Kurti, përcjell teve1.info
Ai ka thënë se janë të vetëdijshëm për aktivitetet e forcave serbe të cilat po i përdorin për të shkaktuar provokime, duke shtuar se ofrimi i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.
“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar Kurti./teve1.info