Kur dhe ku janë takuar ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është nën sanksionet amerikane dhe i kërkuar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, nuk dihet as edhe tri ditë pasi fotografia e tyre u publikua në rrjetin social X.
Gjuriq, i cili pas publikimit të fotografisë tha se “nuk turpërohet për kontaktet e tij”, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL për detajet e takimit me Radoiçiqin dhe kur është bërë fotografia.
Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është emëruar ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020.
REL-i nuk arriti të përcaktojë në mënyrë të pavarur nëse fotografia me Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në fshatin Banjskë të Kosovës, është bërë para apo gjatë funksionit diplomatik të Gjuriqit në SHBA.
Bashkimi Evropian tha se nuk i takon të komentojë për çdo takim të zyrtarëve serbë, porse “me kë takoheni ju, flet për ju”, thanë nga BE-ja.
“Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pasi u pyet nga gazetarët për këtë çështje në një konferencë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, më 11 mars, në Bruksel.
Stano shtoi se BE-ja është në pritje të raportit përfundimtar për hetimet e sulmit në Banjskë, pas të cilit, siç tha, do të shihet se si të sigurohet që autorët të mbahen përgjegjës.
“Deri më tani, ne nuk kemi parë një raport të tillë, këtu në Bruksel”, tha Stano.
Më 24 shtator të vitit 2023, një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e akuzon Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar e mohon përgjegjësinë.
Atë e mori Radoiçiq, i cili e kaloi një ditë në paraburgim në Serbi dhe më pas doli për t’u mbrojtur në liri, por me kushtin që të mos largohet nga Serbia.
Në lidhje me procedurën kundër tij në Serbi, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë më 8 shkurt se dëshmia e të dyshuarit Radoiçiq, është duke u verifikuar.
Duke e komentuar rastin e fotografisë mes Gjuriqit dhe Radoiçiqit, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për REL-in se ky i fundit “e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë përmes avokatëve të tij” dhe se ai “është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”.
Ambasada e SHBA-së në Beograd nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me këtë rast. Ngjashëm as Ministria e Jashtme e Serbisë, zyrtar i së cilës është Gjuriq.
Çka tha Gjuriq?
“Asnjëherë nuk i kam fshehur dhe nuk kam pasur turp për kontaktet shumë publike që i kam në lidhje me punën që bëj”, shkroi Gjuriq në rrjetin social X më 10 mars, teksa komentoi fotografinë me Radoiçiqin.
Ai shtoi se “nuk e ka ndërmend t’i justifikohet për asgjë” as kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, as ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, apo “njerëzve të tjerë keqdashës”.
Fotografia, në të cilën duken Gjuriq dhe Radoiçiq, u publikua një ditë përpara këtyre komenteve në të njëjtin rrjet social.
Në fotografi, ata duken së bashku në një restorant. Nuk dihet se ku dhe kur është bërë fotografia, a as kush është autori.
Vuçiq “nuk e pyeti asgjë” Gjuriqin
Duke folur në një konferencë për gazetarët më 10 mars, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu referua shkurtimisht fotografisë së ambasadorit serb në SHBA, Gjuriq, dhe organizatorit të konfliktit të armatosur në Banjskë, Radoiçiq.
“Unë nuk e pyeta kur, ku dhe pse. Nuk e pyeta asgjë… nëse ai u ngrit nga tavolina e tij për ta takuar Millan Radoiçiqin, për t’u ulur me të një ose dy minuta, apo nëse ka shkuar me të”, tha Vuçiq.
Një ditë më vonë, të hënën, ai u takua me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.
“Një bisedë e hapur me ambasadorin Christopher Hill për pozitën e serbëve në Kosovë dhe Metohi, situatën e ndërlikuar gjeopolitike dhe çështje të tjera me interes të përbashkët”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Në atë postim, Vuçiq nuk tha nëse temë e takimit ishte edhe fotografia e Gjuriqit e Radoiçiqit.
“Radoiçiq – barrë e madhe për autoritetet”
Publiku duhet të marrë përgjigje në pyetjet nëse fotografia është autentike, kur dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur takimi mes Gjuriqit dhe Radoiçiqit, thotë Predrag Petroviq nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Siguri.
“[Autoritetet] po dërgojnë mesazh se nuk heqin dorë nga njerëzit që i dhanë mbështetje të madhe regjimit të Aleksandar Vuçiqit, e një numër i madh i tyre vijnë nga bota e krimit, siç është rasti me Radoiçiqin”, thotë Petroviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se Radoiçiq paraqet një “barrë të madhe” për autoritetet në Beograd, veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë.
“Nga Serbia pritet që ta ndjekë penalisht Radoiçiqin. Aktualisht, nuk kemi informacione se Serbia po e bën këtë. Regjistrimet e fundit tregojnë të kundërtën – se Radoiçiq gëzon privilegje të mëdha të autoriteteve në Beograd”, thotë Petroviq.
Gjuriq kthehet në Serbi për një “funksion të rëndësishëm”
Presidenti serb, Vuçiq, njoftoi për kthimin e Gjuriqit në Serbi në muajin shkurt.
Krahas një fotografie me ambasadorin serb në SHBA, në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq shkroi se Gjuriq do të kthehet në Serbi për “një nga postet shumë të rëndësishme në vendin tonë”.
Zyrtarisht, Gjuriq është ende ambasador i Serbisë në Uashington, siç thuhet edhe në ueb-faqen e ambasadës.
Pasi Qeveria serbe e emëroi në tetor të vitit 2020, ai e mori postin e ambasadorit në janar të vitit 2021.
Nga viti 2014 deri në vitin 2020 ishte shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Gjatë asaj periudhe, Gjuriq ishte disa herë në shoqërinë e Radoiçiqit, i cili ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Radoiçiq ishte në krye të kësaj partie që mbështetet nga Beogradi zyrtar që nga viti 2018, ndërsa dha dorëheqje prej saj pas sulmit të armatosur në Banjskë.