Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar dosje dhe materiale në Prokurorinë Speciale lidhur me kontratën për ndriçimin publik në kryeqytet, për të cilën pretendon se ka pasur shkelje dhe keqpërdorime që kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Në këtë veprim ka marrë pjesë edhe deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, njëherësh anëtar i kryesisë së Qendrës së kësaj partie në Prishtinë.
Përfaqësuesit e LVV-së kanë deklaruar se kanë siguruar prova dhe fakte që, sipas tyre, dëshmojnë për parregullsi në kontratat e ndriçimit publik.
“Jemi të bindur se kemi prova dhe fakte të mjaftueshme se bëhet fjalë për një kontratë abuzive, ku është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës”, është thënë në deklaratë nga Gëzim Sfeçla, Shef i Asambleistëve të LVV-së në Prishtinë.
Sipas tyre, bëhet fjalë për dy kontrata të nënshkruara në periudha të afërta kohore, njëra në korrik të vitit 2024 dhe tjetra në prill të vitit 2025.
Ata kanë pretenduar se dallimet në çmime për pozicione dhe punë të njëjta kanë ngritur dyshime, të cilat i kanë shtyrë ta hetojnë më në detaje këtë çështje.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta trajtojë denoncimin dhe ta hetojë deri në fund çështjen e kontratave për ndriçimin publik në Prishtinë. Pretendimet për keqpërdorime mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente./teve1.info/







