Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në një prononcim për media në lidhje për fabrikën e plastikës e cila u përfshi nga zjarri në mëngjesin e sotëm te Parku i Biznesit në Drenas, tha se i ka kërkuar ndihmë Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla që të sjell KFOR-in, dhe helikopterët e KFOR-it, që të hedhin ujë për fikjen e zjarrit.
I pyetur nga gazetarët, se a janë të rrezikuara fshatrat përreth këtij zjarri, Lladrovci u përgjigj se fshatrat përreth nuk janë të rrezikuar nga zjarri, por nga tymi, sepse sipas tij, tymi ka arritur deri në Mitrovicë.
Derisa Lladrovci theksoi se qytetarët e Drenasit dhe Skenderaj janë ankuar për shkak se tymi është i rëndë, dhe sipas tij është i rrezikuar për ata njerëz që kanë probleme më frymëmarrje.
“Unë shprehi keqardhje për dëmin që është bërë, ne e kemi marrë lajmin rreth orës 11:00 që ka ndodhur zjarri dhe njësitë tona i kanë kërkuar ndihmë njësive tjera, komunave të tjera të zjarrfikësve, të cilët i falënderojmë sepse kanë reaguar zjarrëfikësit e Lipjanit, Malishevës, Skenderajt dhe Prishtinës. Sigurisht që unë i kam bërë thirrje edhe ministrit Sveçla, nivelin qendror për me na asistua me ndihma dhe i kam kërkuar që ai të lidhet me KFOR-in dhe me helikopterët e KFOR-it të vijnë të hedhin ujë, këtu me vete i kemi edhe ekspertët e AME-së.
Fshatrat përreth dhe shtëpitë nuk janë të rrezikuar nga zjarri, por janë të rrezikuar nga tymi, sipas informacioneve tymi ka shkuar deri në Mitrovicë. Skenderaj dhe Drenasi kanë filluar me u ankuar për shkak se dëmi është i rëndë, ka rrezik edhe për njerëzit sidomos për ata që kanë probleme me frymëmarrje”, deklaroi Lladrovci./teve1.info/