Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, dëshmitari Bekim Uka ka sqaruar vështirësitë e pranimit në radhët e UÇK-së për shkak se kishte qenë i mitur.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë 3 herë jom shku në 98-tën, personalisht te komandanti Shukri Buja, por nuk më ka pranuar për shkak të moshës sepse kam qenë nën 18 vjet, pastaj prapë në 98-tën jam lajmëru prapë në Kaçanik tek komandant Bardhi, edhe ai nuk më ka pranu me arsyetimin se nuk kanë armë dhe duhet me pas armën tane personale. Me formimin e batalajonit në fshatin Brod me komandant Enver Ademi, jam regjistru menjëherë në ditët e para”, ka thënë dëshmitari Bekim Uka.
Ai ka sqaruar se në kohën e luftës kishte operuar në Zonën e Noredimës në Brigadën 161.
Uka tha se kishte qenë i armatosur me armë të gjata kurse aplikacionin për status të veteranit të luftës tha se e kishte plotësuar në bashkëpunim me kryetarin e shoqatës.
Tutje, dëshmitari i radhës Sebastian Berisha ka pohuar se ka qenë pjesëtar i UÇK-së nga marsi i vitit 1999 në Jabllanicë dhe se në atë kohë kishte qenë 15 vjeç.
Ai tha se kishte qenë në Brigadën 132, kishte qenë i armatosur dhe kishte qëndruar deri në përfundim të luftës.
I njëjti tha e kishte përjetuar shumë keq momentin kur kishte dalë emri i tij në listat e rrejshme të veteranëve.
Po ashtu, edhe dëshmitari Jeton Gashi ka sqaruar se ai është kyçur në UÇK në vitin 1998 në Brigadën 153 në Zllashë.
Ai tha se ka qenë i armatosur me llojin e armës “kallashnikov” dhe se aktiviteti i tij ka qenë kryesisht në Zllashë, Prapashticë e Keqekollë.
Dëshmitari Gashi tha se ai ka qëndruar deri në përfundim të luftës dhe se në atë kohë ka qenë 17 vjeçar.
Tutje, dëshmitari i radhës Bashkim Shasivari ka deklaruar se ai ka qenë i kyçur në UÇK në Petrovë në njësinë 161 nga marsi-prilli i vitit 1999.
Ai tha se ka qëndruar deri në përfundim të luftës, kurse numri i ushtarëve tha se ka qenë 127-128, kurse roli i tij ka qenë kuzhinier i brigadës.
I njëjti tha se ai fillimisht ishte paraqitë në Krojmirë por që nuk e kishin pranuar për shkak të moshës, kurse herën e dytë tha se ju kishte thënë që është i moshës 18 vjeç me qëllim që të pranohet në radhët e UÇK-së.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Agim Çeku, avokati Ramë Gashi është tërhequr nga propozimi për dëgjimin e dëshmitarëve të cilët nuk ishin sot të pranishëm, kurse prokurori special Valdet Gashi u pajtua me arsyetimin se faktet që vërtetuar këta dëshmitarë vërtetohen edhe me prova materiale të cilat janë dorëzuar në gjykatë për administrim.
Prokurori Gashi ka kërkuar nga gjykata që të rezervojë të drejtën e tij që të drejtohet me shkrim përmes parashtresës në rast se vlerësojnë se ka ndonjë dëshmitarë që duhet të dëgjohet.
Kurse, trupi gjykues ka kërkuar nga i njëjti që në afat prej 10 ditësh të propozojë në rast se ka ndonjë propozim.
Për këtë rast, më 21 dhjetor 2023 ka dëshmuar ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.
Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.