Seancë e jashtëzakonshme u thirr për të enjten.
Kuvendi i Kosovës pranoi kërkesën e grupit Parlamentar të AAK-së, për të diskutuar rreth gjendjes në sektorin e Shëndetësisë dhe Sigurimet Shëndetësore.
Kjo seancë nisi me akuza dhe kundërakuza mes pozitës e opozitës.
“ Ne si grup parlamentar, kemi kërkuar që me urgjencë sa më shpejt të futet në debat, të shterohet ky debat, dhe të gjithë së bashku të bashkërendisim forcat në drejtim që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet ky problem që ka gjakderdhje të madhe në vend” , tha deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, akuzoi qeveritë e kaluara se me sigurimet shëndesore kanë bërë politikë.
“ Po ua rikujtoi se në vitin 2019, ne si subjekt politik kemi thënë se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk mund të funksionalizohet pa katër deri në pesë vite punë intensive. Subjektet tjera politike premtonin do ta funksionalizojnë 18-24 muaj bile bëhej garë cili 18, cili 24”, tha ai.
Seanca vazhdoi me kërkesën e PDK-së që kryeministri Albin Kurti të japë llogari për largimin e profesionistëve dhe anesteziologëve nga ky departament.
“ Kurti sot do të duhej të jepte llogari për degradimin e sistemit shëndetësor, pabarazisë e pakënaqësive të pacientëve e profesionistëve shëndetësor, njëri nga ta është në grevë urie. Në vitin 2020, kanë qenë 64 specialist të anesteziologjisë, prej tyre 22 janë larguar kjo klinikë”, tha Bekim Haxhiu.
E nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se qeveria Kurti u tregua e paaftë për të përmirësuar gjendjen në Shëndetësi.
“Kjo qeveri më saktësisht, shëndetësia në krye me ministrin Vitia, u treguan të paaftë të paditur dhe dëshpërues të mëdhënjë që ka pas Kosova ndonjëherë… Ka mungesë të letrave higjienike, sapunëve, shiringave, edhe penjve edhe infuzioneve.. 6 milionë euro kanë tepruar nga buxheti për blerjen e barnave nga vitit 2023”, u shpreh deputeti Armend Zemaj.
Akuza u ngritën edhe për mungesë të profesionalizmit dhe punësimeve partiake brenda Fondit të Sigurimeve.