Drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Gjakovës, Adelina Shehu-Kola ka treguar në detaje raportin për rastin e 4-vjeçares, e cila dyshohet se ka vdekur nga sëmundja “Sepsa”.
Përmes një përgjigje të saj për emisionin “Ditari” në Tëvë1, Shehu-Kola tha se me datën 16 shkurt pacientja tashmë e ndjera Melisa, ka qenë në institucionin shëndetësor të QKMF-së, ku gjendja e saj ka qenë me temperaturë 39 gradë celsius.
“Sa i përket kujdesit primar si përgjithësi pra për të ndjerën 4-vjeçare Melisa, me datën 16 shkurt pacientja ka ardhë në institucionin shëndetësor të QKMF-së dhe ka marrë vizitën rreth orës 14:43. Në vizitë mjeku i ka dëgjuar mushkëritë dhe fytin dhe ka qenë me temperaturë rreth 39 gradë celsius, mjekja ka dhënë rekomandim të terapisë për një shurup, dhe i ka thënë nënës së saj që nëse nuk i kalon ta sjell prapë”, tha Shehu-Kola.
Ajo tha se me datën 16 shkurt në mbrëmje, prapë është sjellë pacientja nga babai i saj, por ka qenë në gjendje më të rënduar, ku mjeku kujdestar i ka dhënë terapi intramuskulare, dhe i ka dhënë udhëzimin për në spitalin regjional “Isa Grezda” në Gjakovë.
“Vizita e parë është kryer sipas kamerave që i kemi dorëzuar në polici kur i kemi parë ne, ka qenë 12 minuta që pacientja ka hyrë dhe është regjistruar. Po te njëjtën datë, me 16 në mbrëmje ka ardhë babai me të ndjerën, në gjendje më të rënduar dhe e ka sjell me urgjencë dhe ka thënë që nuk është mirë dhe ka pak dridhje, mjeku kujdestar që ka qenë atë natë menjëherë e ka bërë vizitën dhe ka dhënë terapi intramuskulare, dhe jep udhëzimin për në spitalin regjional “Isa Grezda”. Pra vizita e dytë aq shpejtë është kryer për 7 minuta”, tha ajo.
Derisa Shehu-Kola theksoi se sa i përket deklarimeve të tjera, nuk qëndron e vërteta e neglizhencës ose mos-kujdesi ndaj pacientes.
“Sipas kamerave, sa i përket deklarimeve të tjera nuk qëndron e vërteta e neglizhencës ose mos-kujdesi ndaj pacientes. Për ne ka qenë shqetësuese vdekja e katër vjeçares dhe jemi marrë me këtë çështje, por nga e gjithë kjo situatë nga kujdesi primar është vërtetuar që nuk ka pasur ndonjë papërgjegjësi ndaj pacientes”, theksoi ajo.
Kujtojmë që 4 vjeçarja nga Gjakova ka vdekur me datë 19 shkurt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës./teve1.info/