Dukuri brengosëse dhe në rritje po konsiderohet konsumimi i duhanit dhe alkoolit nga të miturit, për çka po kërkohet kujdes nga prindërit e shkollat, por edhe nga bizneset që shesin këto produkte.
E derisa monitorimi i bizneseve që nuk respektojnë ligjin që ndalon shitjen e duhanit dhe alkoolit, po duket të jetë sfidues për institucionet, bëhet e ditur se gjatë vitit që shkojë, janë gjobitur vetëm dy biznese.
MINT thekson se Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit ndalon edhe ekspozimin e duhanit.
“Gjatë vitit 2023, janë evidentuar se në dy raste u është lejuar të miturve të blejnë duhan dhe alkool, pasi që shitësja nuk ka kërkuar që konsumatori të dëshmojë moshën me anë të dokumentit identifikues. Ndaj dy subjekteve ekonomike është iniciuar procedurë në Gjykatë”, thekson MINT për KP.
Neuropsikiatri Sami Rexhepi thotë se është shumë brengosëse shitja dhe konsumimi i pijeve nga të miturit, pasi që është rritur numri i të rinjve të cilët kanë filluar të abuzojnë me duhan dhe alkool, dhe se dëmi i këtyre moshave të reja është shumë i madh në tru dhe mushkëri.
Sipas tij, prindërit duhet të jenë më të ndërgjegjshëm rreth kësaj çështje, punëtorët ta respektojnë ligjin për të mirën e fëmijëve.
Ai rekomandon që shkollat të bëjnë më shumë kontrolle, pasi që nxënësit gjatë shëtitje të organizuara nga shkolla, përdorin lëndë narkotike dhe substanca të tjera, por gjithashtu gjatë këtyre organizimeve, të mos lejohet hyrja e të miturve në klube të natës.
Ndërsa, sociologu Gent Xërxa shprehet se në Kosovë, marketet të cilat furnizohen me alkool janë afër shkollave.
Por, një problem tjetër, sipas tij, është se vetë të miturit, shesin alkool apo duhan si shitës ambulativ.
MINT kërkon nga konsumatorët që në rast se hasin në shkelje të ligjit ndonjë operator ekonomik, ta deponojnë ankesën pranë Departamentit të Mbrojtjes së Konsumatorit, në numrin pa pagesë: 0800 11000 ose në ueb faqen https://konsumatori.rks-gov.net