Në seancën solemne të Kuvendit, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka përmendur flijimin e 1133 fëmijëve, ku 109 prej tyre janë ende të pagjetur.
Më tej, Kusari-Lila ka thënë se duhet të ketë vazhdimisht përpjekje që historia dhe e kaluara e Kosovës, të mos përsëriten më kurrë.
Po ashtu, ajo përmendi edhe gratë e dhunuara seksualisht dhe nënat të cilat ende presin ndonjë lajm për më të dashurit e tyre.
“Megjithatë, jo shumë larg në historinë tonë edhe fëmijët e Kosovës u sakrifikuan dhe bashkë me heronjtë u bën pjesë e flijimit dhe pavdekshmërisë për lirinë e Kosovës. Sado të vegjël në moshë ata nuk u kursyen nga terrori dhe vrasja. Për lirinë dhe shtetin tonë u sakrifikuan 1133 fëmijë, prej të cilëve 109 ende të pagjetur. Liria dhe shteti ynë janë të çmuar dhe ashtu sikur vlera e tyre, duhet të jetë përpjekja jonë që historia dhe e kaluara kurrë më nuk përsëriten në këtë nën qiell. Nga ajo çfarë po ndodhë në kontinentin tonë, e kemi të qartë se liria dhe demokracia nuk duhet të marrë për mirëqena. Liria dhe demokracia po rrezikohen. Shtetet autokrate, sikur Rusia, me diktaturë të instaluar sulmojnë shtetet fqinje të pavarura, vrasin oponentët politik të burgosur, ndërsa proksi i tyre tërbohet nga nderimi i shtatë-vjeçares së vrarë në Kosovë, Blerina Jashari”, u shpreh Kusari-Lila.
Tutje, Kusari-Lila tha se Kosova ka miqtë dhe aleatët e saj të cilët i japin kuptim lirisë dhe shtetit.
Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, tha se çdo përvjetor duhet të jetë reflektim për të gjithë burrat e gratë që sakrifikuan jetën e tyre.
Përveç dëshmorëve, Tahiri nuk la pa përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë, duke shtuar se ata ndodhen atje për ta pastruar emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Presidenti Hashim Thaçi sot nuk e gëzon lirinë e Kosovës, por vepra e tij jeton. Andaj sot jemi mbledhur ta shënojmë 16-vjetorin e kësaj vepre historike. Hashim Thaçi dhe shokët e tij bashkëluftëtarë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e shumë të tjerë janë në betejën e radhës për Kosovën, duke luftuar për drejtësi dhe për ta pastruar emrin lavdi madh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin nuk e ndotën asnjëherë propagandat që vijnë si nga jashtë ashtu edhe nga brenda Kosovës. Kjo festë nuk ka kuptim nëse çdo 17 shkurt nuk nderojmë burrat dhe gratë që bën sakrificë të madhe për të ndërtuar një të ardhme të mirë për Kosovën. Nuk ka kuptim nëse çdo 17 shkurt nuk kujtojmë më nderim, që gjithë ata burra e gra që ndër dekada kontribuuan që 17 shkurti të bëhet realitet, që Kosova të bëhet shtet i pavarur e sovran”, deklaroi ai.
Ndër të tjerash, Tahiri ka përmendur edhe komandantin legjendar, Adem Jashari si dhe të gjithë ata të rinj, e të reja, të cilët kanë dhënë jetën për lirinë që Kosova sot gëzon.
Fjalimi nuk mungoi as nga shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili tha se kombi pati rrugëtim mjaft të vështirë deri më tani.
Megjithatë, Tahiri tha se përkundër të gjitha përjetimeve, njerëzit e Kosovës, u ngritën përsëri në solidaritet për mbijetesë.
“Mbi 1 milion qytetarë u depërtuan me dhunë nga Kosova, gjysma tjetër në Kosovë të ngujuar, qindra mijëra të vrarë e të masakruar, mijëra gra të dhunuara e pasuria tërësisht e shkatërruar. Mbi këto, njerëzit e këtij vendi, burra e gra u ngritën në solidaritet për mbijetesë. E mbajtën gjallë arsimin, edukimin duke i bërë shtëpitë e tyre shkolla. Duke ndarë shumë pak çfarë patën për të financuar sistemin paralel, sistemin arsimor. Në misionin e me emrin e Nënës Terezë u ushqyen me mijëra familjarë të cilat ishin në varfëri të skajshme dhe u dhanë shumë shërbime shëndetësore”, u shpreh ai.
Ndër të tjerash, Tahiri theksoi se lufta për liri kulmi me shëmbëlltyren e flijimin e komandantit, Adem Jashari dhe familjes së tij./teve1.info/.