Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit, duke i bërë thirrje ta tërheqin vendimin.
O’Brien ka thënë se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës të martën.
Po ashtu, O’Brien ka thënë se Kosova nuk ka konsideruar këshillat e partnerëve për këtë vendim.
“Vendet moderne të Evropës i zgjidhin këto çështje me dialog paraprak dhe informojnë banorët me kohë”, ka thënë ai.
O’Brien tutje ka thënë se vendimi i BQK-së për dinarin është marrë pa planifikim dhe me nxitim.
“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, ka deklaruar ndihmës-sekretari i SHBA-së.
Prandaj, sipas O’Brienit, fillimisht duhet të hiqet dorë nga vendimi e më pas të punohet për zgjidhje.