Seanca e Kuvendit të Kosovës është përcjellur me tensione të shumta mes deputetëve të pozitës e opozitës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se gjatë kohës kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte në pushtet, kontrabandistët dhe terroristët ishin të lirë të vepronin në Republikën e Kosovës. Ajo shtoi se kjo e fundit ka lejuarsjelljet agresive të Serbisë mbi territorin e shtetit tonë dhe se të njëjtit kanë toleruar Radojçiqin dhe plotë terroristë të tjerë.
Haxhiu këtë e tha në replikën ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, gjatë mbajtës së seancës plenare, derisa ky i fundit në fjalimin e tij akuzoi pushtetin aktual për çnjohje e degradim në arenën ndërkombëtare.
Tahiri tha se asnjë njohje e re nuk ka ardhur për Kosovën gjatë qeverisjes Kurti, derisa vlerësoi se themelimi i një komisioni hetimor është tepër i rëndësishëm, ngase sipas tij nxjerrë në pah keqpërdorimet e abuzimet.
“Ne në të kaluarën së bashku me partnerët tanë, me shtete. Bashkuara te Amerikës dhe ata partnerë që janë anëtarë të përhershëm te këshillit të sigurimit është Britania e Madhe edhe Franca jemi dakorduar që sa më ultë të përfaqësohet Kosova në atë nivel sepse është UNMIK-u. Mundësisht të mos shkojë as ministri i jashtëm, as kryeministri i jashtëm as presidenti, mirëpo të shkojë ambasadori…Kjo është një kurth, një grackë e Serbisë…Asnjë njohje në kohën kur e qeverisni Kosovën nuk ka ardhur, e fundit ka ardhur prej kryeministrit Avdullah Hoti, Izraeli. Këto kanë ndodhur para vitit 2021. Kjo është Kosova juaj që ju e udhëheqin me çnjohje, jo me njohje, degradimin që e keni sjellë në arenën ndërkombëtare. Themelimi i këtij komisioni hetimor është tepër i rëndësishëm, sepse nxjerr në pah keqpërdorimet, abuzimet”, tha Tahiri, raporton KP.
Ndërkaq, në replikë ndaj Tahirit lidhur me njohjet ndaj Kosovës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se sanksionet kanë ardhur sepse për herë të parë sipas saj kontrabanduesit e terroristët nuk janë lejuar të veprojnë siç kanë bërë më herët.
“Zakonisht temat kur je i përfshirë me të dyja duart në keq përdorime nuk ke dëshirë me fol. Por, meqë po dëshiron të flasësh, flasim kur te duash më thirr në interpelancë. Por, nuk e pata në plan të flas për këtë temë. Ma zgjoj vëmendjen një deklaratë e Abelard Tahirit qe tha me neve ka pasur njohja e me juve ka pasur sanksione…Ka pasur sanksione për shkak se për herë të parë kontrabanduesit, terroristë, kriminelët nuk janë lejuar të veprojnë siç kanë vepruar në kohën kur keni qeverisur ju në veriun e vendit tonë. Kur ju keni qenë në qeverisje i leni lejuar edhe terroristët, kontrabandistët edhe sjelljet agresive të Serbisë mbi territorin e Republikës së Kosovës…Keni toleruar Radioçiqin dhe plotë terroristë të tjerë, Kur Kosova ka treguar, dëshmuar dhe ka marrë veprime që nuk do të tolerohen më këta, natyrisht kanë mundur të vendosen masa, sepse dikujt nuk u paska pëlqyer, në këtë rast Bashkimit Evropian”, tha Haxhiu.
Replikë ndaj Tahirit pati edhe deputeti nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, për çka tha se njohjet nuk i ka sjellë PDK-ja, por miqtë ndërkombëtarë. Si “suksese” të kësaj partie, Avdyli përmendi “hapjen e shampanjave për liberalizmin e vizave çdo vit, dështimet në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare, anëtarësimin në Interpol e të tjera.
“Ngarendja e të bërit opozitë dhe frika që hetimi të ndahet veç në pjesë, kjo tregon për frikën që e keni ju si opozitë e tashme. Sepse ju po frikësoheni që të hetoheni për periudhën para vitit 2021. Se çfarë ministrie të Punëve të Jashtme kemi pasur e dinë të gjitha hetimet që kanë ndodhur të kaluarën. Ju folët për njohje, me siguri çdo qytetarë e din që Abelard Tahiri njohje nuk na ka sjellë, por na kanë sjellë miqtë ndërkombëtarë…Përndryshe për sukseset e juaja dihet cilat janë, kanë qenë hapjet e shampanjave për liberalizimin e vizave çdo vit, dështimet në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, anëtarësimin në Interpol, në UNICEF, UNESKO, dhe shume dështime të tjera”, tha Avdyli.