Profesori Dritëro Arifi tha se me zgjedhjen e Talat Xhaferit në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kapitulli për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetet e Ballkanit Perëndimor është mbyll suksesshëm, raporton teve1.info
Arifi këto komente i bëri gjatë emisionit “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ku u diskutua rreth emërimit të Xhaferit në krye të qeverisë teknike në Maqedoni të Veriut, e cila pritet t’i organizoj zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë shtet.
Megjithatë, Arifi tha se si qeveri teknike, kjo e udhëhequr nga Talat Xhaferi nuk mund të ketë shumë kompetenca.
“Qeveria që është aktuale vetëm duhet t’i përcjell projektet aktuale që janë në proces e shumica prej tyre që mund të përfundojnë gjatë këtij 100 ditshi. Mund të menaxhoj, e të nisë është vështirë por mund ta përshpejtoj procesin ato që janë në proces. Kjo është ajo pozitive, sidomos në projektet që kanë të bëjnë me regjionet ku ka më shumë shqiptarë që t’i jep një shtytje, mund të ketë edhe financa shtesë nëse projekti ka ngec dikun, këto mund t’i bëjë. Por ne nuk mund të presim çudi për 100 ditë duke e ditur plus që është qeveri teknike, por esenca është që ne, prandaj unë e përmenda 2000 vjeçarin, ne po harrojmë ku kemi qenë dhe ku jemi”, u shpreh Arifi.
Ai tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e ka faktorizuar kombin shqiptar e edhe shqiptarët në Maqedoni.
“Kështu që unë mendoj përveç UÇK-së që duhet ta përmendim përgjithmonë sepse lufta e tyre e ka faktorizu kombin shqiptar, edhe shqiptarët në Maqeodni, por ne nuk duhet ta harrojmë edhe një partner tonin i cili ia ka mundësu shqiptarëve me u faktorizua jo vetëm në Maqedoni por tërë Ballkanin Perëndimor, ato janë SHBA-të. Ne shpesh po e harrojmë sepse ne kur jemi mirë po mendojmë që nuk kemi nevojë për miq, përkundrazi, sa më shumë që jemi mirë, më shumë kemi me pas nevojë për miq si SHBA-ja ose partnerët tanë që i kemi strategjik. Kështu që në këtë sens po mendoj, shqiptarët në Maqedoni e kanë rrumbullakuar përkujdesjen për veten, nuk akne nevojë më për këshilla nga Kosova dhe Shqipëria, tash krejt çka kanë nevojë ndoshta për me e zhvillu një projekt, por jo me i ndihmu më shqiptarëve me kërku të drejta. Unë mendoj që ky kapitull është mbyll suksesshëm, tash çka ka mbet për kombin shqiptar është me u interesuar për shqiptarët që kanë mbet në Mal të Zi të cilët megjithatë janë pak dhe kanë nevojë ndoshta shumë më shumë ndihma financiare dhe projekte dhe po ashtu shqiptarët në Luginë të Preshevës, por jo duke i përça”, u shpreh Arifi.