Është dhoma që e ka përzemër.
Madje në ballë të saj, e ka të vendosur fotografinë e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ky i fundit, ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006.
E gjithë organizmin e varrimit të ish-presidentit, e bëri shefi i shtabit teknik të Presidencës së atëhershme të Kosovës, Shaban Sfirca.
Ky thotë se nuk e harron momentin kur iu kumtua lajmi se ish-presidenti i parë i Kosovës së pasluftës, nuk jeton më.
E një ditë më pas, Sfircës iu besua organizimi i varrimit të Ibrahim Rugovës.
Për Tëvë1, Sfirca ka zbuluar se si u vendos që trupi i Rugovës, përfundimisht të prehet në lagjen Velania në Prishtinë.
“Të dielën, qeveria dhe familja, kanë thënë se organizimin e varrimit duhet me ba Shabani dhe të hënën jemi dal me djalin e Ibrahim Rugovës dhe Alush Gashin. Në Dragodan nuk kishte kushte, edhe në Hajvali, nuk pati kushte. Me propozimin e Alush Gashit, thotë vendi më i përshtatshëm është në Hajvali. Edhe Uka i tha që jam i mendimit që është vendi më i përshtatshëm”.
Njeriu që nuk iu nda ish-presidentit për asnjë çast, thotë se Ibrahim Rugova, u varros me ceremoni fetare.
“E kom thirre Agim Kikën, ka qenë kryetar komunë në Podujevë, i kam thënë a mundësh me sjell Idriz Bilallin për me kthye varrin prej Kibles tha bash me mulla Idrizin jam në zyre dhe për gjysme ore kanë ardhur dhe e kanë kthyer varrin prej Kibles…u krye ceremonia shtetërore në fund u krye edhe ajo fetare, 20 hoxhallarë ia kanë fal namazin e xhenazës, Ibrahim Rugovës”.
Sfirca ka shtuar se pavarësisht të ftohtit të asaj dite, njerëz të shumtë priten me orë të tëra për homazhe.
“Prej orës 8 deri në 12 kanë prit në radhë për me hy. Në ora dy e kam mbyll arkivolin dhe apet kam shkuar në Velani….lum Kosova që e ka pas”.
Ndryshe, ish-presidentit Ibrahim Rugova, para se të ndërronte jetë, për disa muaj vuante nga kanceri në mushkëri.