Autoritetet në Serbi ia kanë refuzuar kërkesën ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili kishte planifikuar për sot një vizitë zyrtare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Refuzimin e kësaj kërkese, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, e quajti tendencë për ta mbajtur të shkëputur Luginën e Preshevës nga shteti i Kosovës.
Tëvë1 ka kontaktuar Lutfiun për të kuptuar më shumë rreth agjendës së paraparë të Sveçlës në Preshevë, me ç’rast tregoi se fillimisht në rend dite ka qenë vizita në Zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë, për të vazhduar tutje takimet edhe me përfaqësues politikë.
“Sa më e madhe të jetë prezenca e Kosovës në Luginën e Preshevës, aq më shumë rritet mundësia ta ruajmë substancën kombëtare. Andaj, kjo është një tendencë për të na mbajtur të shkëputur nga shteti i Kosovës. Sipas agjendës, ka qenë që fillimisht ta vizitojë zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë, atje t’i takojë disa qytetarë, t’i takojë edhe përfaqësuesit politikë dhe përfaqësuesit e Zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar, me theks të veçantë, ta shoh fenomenin i cili ka arritur t’i defaktorizojë shqiptarët në atë komunë, siç është pasivizimi i adresave. Pastaj, vizita tjetër ka qenë në Objektin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku ka qenë i planifikuar një takim me mua dhe deputetin Shaip Kamberi. Në drekë ka qenë një takim me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, dhe në ora 15:30, ka qenë e paraparë që të realizojë edhe një vizitë në qytetin e Preshevës.”, deklaroi Lutfiu për Tëvë1.
Më tej, Lutfiu tha se vizita e Sveçlës në Preshevë, do të shërbente për të parë së afërmi gjendjen e shqiptarëve në atë pjesë të vendit.
“Për shkak që e kemi konsideruar të një rëndësie të veçantë, i kemi bërë kërkesë për një vizitë në Luginë të Preshevës ministrit Sveçla, kështu për të parë për së afërmi gjendjen e shqiptarëve të Luginës. Mbrëmë na është konfirmuar nga ambasadori Jetishi që është refuzuar vizita e ministrit. Është një praktikë që Serbia po e praktikon njësoj si në herët tjera, ku fare pranë kohës kur ministri do të duhej të hynte në Luginën e Preshevës, refuzohet ftesa”, potencoi Lutfiu.
Po ashtu, ky i fundit tha që s’i kanë ende arsyet e refuzimit të vizitës.
Ndërkaq rreth kësaj çështje, Sveçla ka thënë se autoritetet e Serbisë, ia mohuan vizitën e tij në Luginën e Preshevës, pa asnjë arsye dhe shpjegim./teve1.info/.







