E me KEDS-in po kanë probleme edhe disa fshatra të Komunës së Vitisë. Atje banorët po ankohen për mosfurnizim të rregullt me energji ekeltrike. Madje për këtë edhe protestuan, pasi thonë se po u shkaktohen dëme në ekonomitë familjare.
U mblodhën për të protestuar para zyreve të KEDS-it. Banorët e fshatrave Drobesh, Smirë dhe Ramnishtë të Komunës së Vitisë tash e disa ditë janë pa energji elektrike. Ata thonë se furnizimi jo i rregullt me energji elektrike po iu sjell telashe të mëdha.
“Sot kemi një protestë simbolike para zyreve të Kedsit, për shkak të diskriminimit që po na bëhet me ndaljen e rrymës me faza, shpesh herë nuk kemi rrymë. Nëse një bojlerit i duhet per dy orë mu nxeh tek ne në fshat i duhet 12 orë e me këtë po pëson qytetari”, tha Selajdin Osmani – përfaqësues i fshatit Drobesh.
E një tjetër banor i kësaj ane, thotë se tash e 5 ditë në shtëpinë e tij nuk ka energji elektrike. Për këtë po e fajëson KEDS-in, teksa tregon edhe për dëmet që po u shkakton mungesa e rrymës.
“Unë që 5 ditë nuk kam rrym hiq. Kom bo thirrje në Prishtinnë, mbi 200 herë ata më thonë e dërgojmë një ekipë, ekipa vjen dej te trafo edhe kthehet meniherë, nuk prek punë me dorë aty, se i kanë caktu njerëzit për mos me kry punë. Na jemi pagues te rregullt rryme nuk kemi, senet ushqimore i kemi gjujt krejt, tha banori, Gezim Nazifi.
I mllefosur u shpreh edhe një tjetër banor, pasi thotë se të gjitha pajisjet shtëpiake u janë djegur. Madje ai ka edhe një mesazh kërcënues.
“Unë vet po deklarohem jo ne emer te dikuj, pa i marr këta tela me blloku krejt Komunën e Vitisë, jepja ni spoj le te shkon krejt flake rryma, une shkoj ne burg por te tjeret kane rryme, prej zemres se plaste njeri qka spo folke, u shpreh Nuhi Xheladini.
E nga KEDS-i kanë një përgjigje për këtë situatë të krijuar në këto fshatra të Vitisë.
“Për rastin në fjalë, aktualisht konsumatorët tanë atje kanë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Megjithatë, për shkak të mbingarkesave në rrjet, të cilat ndodhin herëpashershëm po shkaktohen dëme në asetet e KEDS-it, porse aty dhe kudo që paraqitet nevoja, ekipet e KEDS-it kanë intervenuar duke ua kthyer furnizimin me energji në një afat optimal”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Ditëve të fundit ka pasur ankesa të shumta të qytetarëve për cmime të larta të faturave të energjisë elektrike.
Rinesa Osmanaj







