Ky ishte mesazhi që Marti Ahtisaari ua kishte dhënë shqiptarëve
Ka ndërruar jetë ish kryenegociatori i bisedimeve Kosovë – Serbi, Martti Ahtisaari. Për vdekjen e tij reaguan krerë institucionalë dhe diplomatë ndërkombëtarë. Derisa, ata që patën punë me të, thonë që Kosova ishte me fat që ish presidentit finlandez iu besua propozimi për statusin final të saj, mbi bazën e të cilit u shpall edhe pavarësia.
I kishin mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të mandatit gjashtëvjeçar si president i Finlandës.
Si diplomat i zoti dhe me një karrierë të madhe, akterët ndërkombëtarë e ftuan të jetë pjesë e negociatave për kapitullimin e Serbisë.
Fillimi i prillit të vitit 1999, Marti Ahtisaarin e gjeti në një detyrë të re.
U bë pjesë e negociatave që më vonë kulmuan me atë që në histori njihet si Marrëveshja e Kumanovës.
Ky ishte veç fillimi i një pune të madhe në angazhim të krizës mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjashtë vite më vonë, sekretari i atëkohshëm i OKB-së, Kofi Annan, i dha një mision të ri.
E caktoi si ndërmjetës kryesor në negociatat për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.
Njiheshin si negociatat e Vjenës, që më vonë u finalizuan me një propozim që mbante emrin e tij: Pakoja e Ahtisarit.
Me gjithë kompromiset që kërkohej t’i bënte pala kosovare, në fund të propozimit të ish presidentit finlandez, përmendej Pavarësia e Kosovës.
Propozimi u pranua nga pala kosovare dhe si rrjedhojë, me 17 shkurt të vitit 2008, nën ombrellën e kësaj pakoje, u shpall pavarësia.
Por, si e kujtojnë akterët që morën pjesë në ato negociata.
Enver Hoxhaj tregon për tëvë1 mesazhin që morën nga Ahtisaari, ai dhe ish kryeministri, Hashim Thaçi.
Vdekjen e ish-kryenegociatorit thotë se e përjetoi rëndë edhe ish presidenti Fatmir Sejdiu.
Edhe ky tregon një moment të veçantë të fundvitit 2006.
“Pas përfundimit të takimit, e përcolla deri në dalje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ai mu drejtua: “Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni…”. Ishte kjo një mbështetje e madhe për popullin dhe vendin që kish hyrë dhe po bënte hapat final për pavarësinë”, është shprehur ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Ikjen nga kjo botë të personit që diplomatë të vendit e cilësojnë si ndër më të suksesshmit në botë, e komentuan edhe krerët më të lartë të vendit.
Presidentja Vjosa Osmani e vlerësoi lart kontributin e Ahtisaarit, derisa kryeministri Kurti thotë se u pikëllua me lajmin që mori.
Derisa, përveç sukseseve diplomatike, Marti Ahtisaari, në vitin 2008 mori edhe Çmimin Nobel për Paqe.
Ai vdiq në moshën 86 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.