Sulmi i një formacioni terrorist i kryer në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor i Kosovës dhe një tjetër u plagos, u bë shkak që Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak të takojë këshilltarë diplomatik për të dikutuar me ta për hapat e mëtutjeshëm në procesin e dialogut Kosovë – Serbi. E kur jemi te ky proces, njohësit e çështjeve politike shprehin pritshmëri të ndryshme lidhur me ecurinë e tij.
Pas sulmit ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka thirrur në takim të jashtëzakonshëm këshilltarët diplomatikë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, e ku i pranishëm ishte edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Qëllimi i këtij takimi ndër tjera ishte edhe nxitja e dialogut ndërmjet palëve për normalizimin e marrëdhënieve.
Politologu, Shkodran Ramadani thotë se fakti që Bashkësia Ndërkombëtare la të hapur mundësinë se sulmi ndaj zyrtarëve policorë është organizuar nga eksponentë të tjerë, e jo direkt nga Serbia, nënkupton se diskutimet mund të vazhdojnë.
“Ky rasti i djeshëm mund ta pengoi dinamikën, por prapë mendoj që nuk do ta shemb komplet skemën e dialogut, dhe pres që I njëjti të vazhdojë. Suksesi është diçka që mbetet të shihet, apo dështimi. Çka ne duhet të kemi parasysh, apo edhe frikë që të mos ndodh, është që të mos e pësojmë ne si Kosovë, të mos e marrim ne përgjegjësinë e të etiketohemi si fajtor për obstruksionizëm dhe pengimin e progresit në procesin e dialogut”, tha politologu, Shkodran Ramadani.
Në anën tjetër, sipas profesorit universitar Seb Bytyçi, ngjarja tragjike e së dielës e ka goditur rëndë procesin e dialogut.
Për këtë, ai rendit edhe arsyet.
“I ka deligjitimuar kërkesat për vet formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse është dëshmuar synimi i Beogradit që ta ndajë një pjesë të Kosovës dhe ta shfrytëzoi atë Asociacion për qëllime të veta destabilizuese. Ka dëshmuar që politika e deritashme e akomodimit të Serbisë mga BE-ja është e dështuar dhe ka rezultuar deri në gjakderdhje”, u shpreh profesori universitar, Seb Bytyqi.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar sulmin ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës. Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian doli dy herë me komunikata. Ndërkohë, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, e vlerësoi sulmin si agresion dhe aktin si “terrorist”.