Bellingham 20 vjeç do të bëjë debutimin e tij “të dytë” për Realin kundër Union Berlinit të mërkurën në “Santiago Bernabeu”, në garën që madrilenët e vlerësojnë mbi të gjitha të tjerat.
“Mendoj se ky do të jetë debutimi i vërtetë për mua me fanellën e Real Madridit, pasi dihet që është një klub që gjithmonë ka ambicie të mëdha në Champions. Besoj se jam gati për ta ndihmuar ekipin edhe në këtë garë të rëndësishme”, tha Bellingham.
Reali, që mban rekordin me 14 tituj të Evropës, edicionin e shkuar u eliminua në gjysmëfinale nga Manchester Unitedi. Me blerjen e Bellinghamit, klubi pjesërisht ka bërë një reagim ndaj atij eliminimi të vështirë. Reali ka filluar të zvogëlojë minutat për lojtarët veteranë në mesfushë – Luka Modriq e Toni Kroos – duke u ofruar Bellinghamit, Eduardo Camavingas, Aurelien Tchouamenit dhe Fede Valverdes më shumë mundësi. Bellingham vlerësohet si shtesë e rëndësishme në përbërjen e parë, sidomos pas largimit të Karim Benzemas në Arabinë Saudite.
Duke u përballur me një skuadër të Bundesligës në Evropë, Bellingham duhet të ndihet rehat duke pasur parasysh se e njeh Union Berlinin.
Në paraqitjen e parë në Bernabeu, anglezi gati sa nuk hoqi çatinë e re të stadiumit me golin në minutën e 95-të për t’i dhënë Real Madridit një fitore të ngushtë ndaj Getafes më 2 shtator. Me numrin 5 në shpinë për nder të Zinedine Zidanes, Bellingham është bërë shpejt i preferuar i tifozëve në Madrid. Duke festuar golat me krahët hapur, si për të ndarë gëzimin me tifozët, anglezi është pranuar menjëherë nga tifozëria. Bellinghamit i kushtohet serenadë me këngën e Beatles “Hey Jude”, për të cilën tha se ndihet i veçantë.
“Kur tifozët këndojnë ‘Hey Jude’ unë emocionohem, ndihem krenar që jam i preferuari i tyre”, tha ai.
Edhe trajneri Carlo Ancelotti ka pranuar se pret shumë nga Bellingham. Madje, italiani ka thënë se nuk është aspak i habitur me startin e tij fantastik te skuadra madrilene.
“Lojtarët e mirë me personalitet vuajnë më pak se të tjerët. Nuk ka asnjë arsye tjetër. Për një lojtar me personalitet një fanellë e rëndësishme si ajo e Real Madridit nuk peshon aq shumë”, tha Ancelotti.
Ky personalitet u shfaq te Bellignhami kur ai udhëhoqi Anglinë deri në çerekfinalet e Kupës së Botës vitin e kaluar në Katar me vetëm 19 vjet.
Deri më tani Ancelotti ka vendosur Bellinghamin si numër 10, duke siguruar një prani të fortë fizike në zonën pas dyshes braziliane Rodrygo dhe Vinicius Junior. Ndeshja e vetme në të cilën ai nuk ka shënuar ishte fitorja 2:1 ndaj Real Sociedadit, vikendin e shkuar. Golat e Bellinghamit kanë zëvendësuar golat e Benzemas. Me golat e tij, Bellingham tregoi se mund të bëjë diferencën në zonën kundërshtare në pozicionin e sulmit që Ancelotti ka krijuar për të. Dhe ai është i gatshëm për ta dëshmuar këtë edhe në Champions kundër Union Berlinit.










