Sot skadon afati i vendimit i shtyrë edhe për dy javë, për lirimin e objektit të komunës së Mitrovicës së Veriut, nga institucionet që funksionojnë nën sistemin e Qeverisë së Serbisë.
Objekti që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, aktualisht shfrytëzohet nga 4 institucione që funksionojnë si struktura paralele.
Erden Atiq ka theksuar se lirimi i këtij objekti do të ndodhë përfundimisht më 8 Shtator, pa shtyrje të mëtutjeshme.
Komuna e Mitrovicës Veriore, me anë të një vendimi kishte kërkuar që të bëhet lirimi i një objekti komunal, që aktualisht është në shfrytëzim nga institucionet e Serbisë.
E ky vendim i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut, kishte ngjallur reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Për vendimin e Atiq pati reaguar Bashkimi Evropian, duke vlerësuar se roli i kryetarëve aktualë në komunat veriore të vendit është administrativ dhe vendimet e tilla ndikojnë në rritjen e tensioneve në veri të vendit.
Lista Serbe njoftoi ditë më parë se katër institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, që sipas autoriteteve lokale i përket kësaj komune.
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dhënë afat që deri më 8 shtator Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria të largohen nga objekti. Këto institucione prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.
Teksa kryesuesi i Kuvendi Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, gjatë ditës së djeshme tha se ende nuk ka filluar të lirohet objekti komunal, i cili shfrytëzohet nga strukturat paralele.
Ugljanin, tha se objekti duhet të lirohet, sepse është objekt i institucioneve të Kosovës.
“Personat janë në vazhdimësi duke punuar, sot kam qenë afër objektit. Ne besojmë që situata do të kapërcejë krejt në rregull. Objekti duhet të lirohet, sepse është objekt i institucioneve të Kosovës edhe ne do të presim në vendin e punës se çfarë do të ndodh nesër”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai tha se ka mundësi që procesi për lirimin e objektit të shtyhet, kjo sipas tij për shkak të insistimit nga bashkësia ndërkombëtare../teve1.info./