Kosova tash e sa kohë është duke u përballur me masat e Bashkimit Evropian.
Nga vetë BE është thënë se këto masa janë të kthyeshme dhe të përkohshme.
Por, nga Brukseli po ashtu kanë bërë të ditur se mund të ketë masa të reja për palët nëse shkaktojnë tensionim të situatës, apo nëse nuk shënojnë progres në zbatimin e marrëveshjes për normalizim.
Të hënën në emisionin “InfoNata” në tëvë1, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se BE e ka përgatitur paketën e dytë të sanksioneve, për çka sipas tij qeveria është e njoftuar.
“E rëndësishme është që Qeveria me tregu çka keni abuzu që tani Kosovën ju po e vendosni në masa të kufizimit, sepse pako e dytë do të jetë mos të them katastrofale se është e butë, për të ardhmen e Kosovës do të jetë mortale. Pakoja e dytë është e përgatitur dhe Qeveria e Kosovës është e njoftuar për fuqizimin e pakos së dytë ata po flasin për lehtësimin e pakos së parë.
Televizioni ka provuar të marr një qëndrim nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë çështje, por nga ekzekutivi nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje, nëse janë paralajmëruar ose jo për një paket të dytë të masave.
Njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, megjithatë thotë se nuk sheh ndonjë mundësi për masa të reja, dhe sipas tij, kjo gjë varet nga përparimi në dialog.
Aktualisht nuk shoh shenja të shtimit të këtyre masave, sidomos që ato të përdoren në situatën kur kemi pritjen e dialogut, konkretisht takimit të 14 shtatorit … A mund të ndodh pas të 14-it shtator, pas takimit mes Kosovës dhe Serbisë kjo në një formë ose tjetër qoftë se nisemi nga eksperienca, shumë varet nga hapat e Qeverisë së Kosovës
Edhe politologu Dritëro Arifi thotë se BE do t’i jap mundësi dialogut dhe nëse nuk ka përparim atëherë, sipas tij do të ndëshkohen të dyja palët.
Po besoj që në fazën e mëvonshme, mund të jetë po themi viti i ardhshëm, apo fillimi i vitit të ardhshëm, mund të kemi masa më shtrënguese nëse nuk ka po themi arritje më të mëdha në dialog, apo zbatueshmëri të marrëveshjes që të dyja palët janë dakorduar. Por, të mos harrojmë, masat e reja që do të ndërmerren, në fund të këtij viti apo të vitit të ardhshëm do të jenë me siguri masa për të dyja shtetet, nuk do të jenë vetëm për njërin shtet, varësisht se cili shtet çka ka implementuar.
Edhe në pikën e fundit të aneksit të Ohrit është e specifikuar se palët do të përballen me masa në rast se nuk respektojnë marrëveshjet e arritura në dialog.