Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, pritet t’i filloj punimet të hënën, derisa pjesëmarrës për mësimin e gjuhës në këtë edicion pritet të jenë mbi 100 studentë kurse me studime shkencore do të marrin pjesë 130 studiues.
Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, tha se me referime, kumtesa, studime e prezantime, do të marrin pjesë diku 130 të ftuar dhe se këtë vit numri i pjesëmarrësve është shtuar dukshëm në krahasim me atë të vitit të kaluar.
“Seminari ndërkombëtar përfshin një varg aktivitetesh të ndryshme dhe për këtë shkak kemi dy grupe kryesore të pjesëmarrësve aktivë të cilët do t’i klasifikonim në grupin e pjesëmarrësve të cilët vijnë për të mësuar shqipen dhe këtu kemi 100 deri 120 të ftuar dhe e kemi pjesën tjetër të pjesëmarrësve aktivë që paraqiten në kumtesa, në referime, në studime të ndryshme të cilat i prezantojnë në seminar dhe të tillë janë rreth 130”. Ka thënë ai.
Rugova po ashtu tregoi për të arriturat e seminarit ndër vite dhe sesi ky seminar ka qenë pikënisje e emrave shumë eminentë në lëmin e albanologjisë si Irena Sawicka, Victor Friedman e Robert Elsie.
“Prej këtyre që dëshirojnë ta mësojnë shqipen ka prej vendeve të ndryshme, numri më i madh i tyre është nga Polonia, do të ketë nga Italia, kemi shumë nga Austria, kemi nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, e kemi një arvanit, kemi edhe nga Rusia, Serbia, nga Bullgaria, nga Rumania, nga Gjermania të interesuar për ta mësuar shqipen. Dhe këta pjesëmarrës shpresojmë që ndonjë prej tyre të shndërrohet në albanolog të madh. Ne me mburrje mund të themi se në këto 50 vite të këtij seminari kemi arritur të prodhojmë albanologë nëpër botë dhe thuajse nuk ka asnjë albanolog të rëndësishëm botëror që nuk ka qenë në një formë apo në një tjetër ose që nuk ka kaluar përmes këtij seminari. Disa prej tyre po i përmendi akademikët si Sawicka, Friedman, i ndjeri Robert Elsie, fjalët e para të shqipes i kanë mësuar pikërisht kur kanë qenë të rinj në këtë seminar”, tha Rugova.
Rugova tha se do të ketë një orë letrare e cila i kushtohet shkrimtarit Eqrem Basha, një natë me muzikë arbëreshe etj.