Një gropë e hapur në rrugë me qarkullim në Veternik, në magjistralen Prishtinë-Gjilan po shihet si zonë e rrezikshme e kalueshmërisë së qytetarëve. Ky problem ka kaluar nga një institucion tek tjetri, gjer në fund është adresuar se është çështje e ujësjellësit, e nga kjo e fundit nuk ka përgjigje.
Nëpër këtë rrugë në lagjen Veterniku në kryeqytet qytetarët duhet të kalojnë pothuajse çdo ditë .
E kjo gropë e hapur po paraqet rrezik kalimi për këmbësorët e kryesisht për ngasësit e veturave.
Pikërisht për këtë, një kalimtar thotë se është i detyruar të mos i respektoj rregullat e përcaktuara në trafik rrugor.
Ky thotë, se vepron kështu për të shmangur incidentet që mund të ndodhin.
‘’Kjo gropë është shumë e rrezikshme, edhe këtu kalimi për këmbësorë, dalin kapërcejnë. Edhe fëmija edhe ne si vozitës, për shkak të këtyre duhet me i thy rregullat e komunikacionit, për me i mbrojtë këmbësorët, edhe është kohë shumë e gjatë që nuk është rregullu.’’
Se kjo rrugë duhet të rregullohet në mënyrë urgjente e thonë edhe ngasësit tjerë.
‘’E rrezikshme, katastrofë, është dashtë me u sanu, sa më shpejtë.’’
‘’Është shumë e rrezikshme, po e zika kerrin komplet’’
E kjo gropë ra edhe në sytë e një shtetasi të huaj.
‘’ they just need to get avoided, until they fix it’’.
Lidhur me këtë çështje televizioni ka kontaktuar Komunën e Prishtinës.
Por këta kanë thënë që kjo është përgjegjësi e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Por, nga kjo ndërmarrje kanë thënë se nuk kanë pranuar një kërkesë nga Komuna e Prishtinës për rregullimin e kësaj grope.
‘’Ne nuk kemi pranu ndonjë kërkesë , për të intervenuar në këto gropa hala, kështu që nuk e kemi përgjigjen që me i rregullu gropat sepse nuk na ka ardhë akoma një kërkesë nga Komuna e Prishtinës për rregullim të këtyre gropave.’’
Andaj televizioni ka kontaktuar përsëri komunën, e të njëjtit kësaj radhe kanë thënë që kjo çështje i përket Ministrisë së Infrastrukturës.
Por ky dikaster pastaj në një përgjigje elektronike ia ka hedhur përgjegjësinë Ujësjellësit.
‘’Ju informojë se sipas vlerësimeve të menaxherit të Mirëmbajtjes dhe Operatorit Ekonomik nga tereni, problemi në fjalë I takon rrjetit të ujësjellës- kanalizimit’’.
Më pas ekipi i tëvë1 ka kontaktuar me zëdhënësen e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Arjeta Mjeku,e cila ka thënë që një ekip është dërguar për ta parë gjendjen në terren, por që nuk ka dhënë detaje tjera.
Teksti: Riga Gjata