Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Blerim Nokaj, duke e dënuar me 11 vjet burgim dhe 4 mijë euro gjobë, për grabitjen e vitit 2013 në bastoren sportive “Eurolloto” në Gjakovë, ku si pasojë kishte vdekur një person.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Nokaj, u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Nokaj dënohet me 11 vjet burgim dhe gjobë në vlerë prej 4 mijë euro.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 29 dhjetor 2021, të akuzuarin Nokaj e kishte dënuar me 14 vjet burgim dhe 4 mijë euro gjobë. Por, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Nokaj ishte ekstraduar në Kosovë nga Italia në gusht të vitit 2020. Në Itali, sipas raportimeve ai prezantohej rrejshëm si shtetas francez.
Ndryshe, në këtë rast, për grabitje në bashkëkryerje ka qenë i akuzuar edhe Fuat Gjevukaj, mirëpo ndaj të njëjtit Prokuroria në Gjakovë e kishte rikualifikuar veprën penale në “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes” dhe me të njëjtin kishin lidhur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.
E këtë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë e kishte aprovuar Gjykata Themelore në Gjakovë, e cila kishte shqiptuar dënim prej 6 vjet e 6 muaj burgim ndaj të akuzuarit Gjevukaj.
Sipas aktakuzës së pandryshuar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Blerim Nokaj dhe Fuat Gjevukaj thuhet se kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 329, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3.1 dhe nenin 31 të KPRK-së. Vepër kjo për të cilën parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej së paku 10 vjet ose me burgim të përjetshëm.
Sipas aktakuzës, më 9 qershor 2013, në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë, pikërisht në bastoren sportive “Eurolloto”, pronë e Nijazi Beqirit, me përdorimin e forcës për të sulmuar jetën e të dëmtuarit F.P, përvetësojnë para në shumë prej 2 mijë euro.
Siç thuhet në aktakuzë, grabitja ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit kanë shkuar të luajnë në aparatin e lojërave të fatit dhe me mjet të fortë dhe të rrezikshëm e kanë goditur në kokë të dëmtuarin dhe pastaj të dytë kanë sulmuar me mjete të forta, duke e goditur disa herë në kokë, ku i dëmtuari është rrëzuar dhe ka humbur vetëdijen dhe nga xhepat e pantallonave kanë marrë të hollat dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë më 28 qershor 2013. /BetimipërDrejtësi