Një yll i ri në ardhje te Kosova. Xhudistja, Laura Fazliu ka kohë që po rrëzon çdo pengesë. Ajo së fundmi ka marrë medaljen e artë në Mastersin e Budapestit te Hungarisë, duke shënuar suksesin më të madh në garën e me të mirëve. Mastersi është gara e tretë më kulmore, pas Lojërave Olimpike dhe Botërorit. Laura të artën në Masters e fitoi në kategorinë deri në 63 kligoramë, duke rreshtuar pesë fitore për të zënë vendin kryesor në podium. Në dy luftërat e fundit mposhti japoneze. Të dyja ish-kampione të botës. Në garë ishte edhe legjenda franceze, Clarisse Agbegnenou, që po ashtu zuri vend në podium. Por më poshtë se Laura.
Për 22-vjeçaren tani kanë nisur të shkruajnë edhe në media botëror, por edhe në magazinat kryesore të xhudos. “Ylli i ri në ardhje i Kosovës”, është titulli i shkrimit të Unionit Evropian të Xhudos (EJU) për Laurën.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka shkruar se Laura në finale kishte kontrollin në aspektin taktik dhe po ashtu fizikisht. Aksionet e Laurës për triumf në finale janë vlerësuar shumë të mira. Në analizën që IJF-ja ia bënë paraqitjes në garat e mëdha, përmes një eksperti të saj, është shkruar se Laura Fazliu ka luftuar mirë gjatë gjithë ditës.
“Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme që nxori vërtetë në pah përkushtimin e Laurës në stërvitje dhe analizën fantastike që bënë ekipi prapa saj. Kelmendin dhe Krasniqin i pamë duke bërë tifo nga tribunat. Ekipi është shumë përkrahës. Por e tillë është xhudoja. Të gjithë çmojnë përpjekjet e kërkuara për të arritur në majë. Dhe të gjithë japin respekt për ata që ishin më përpara dhe për ata që po vijnë”, ka shkruar IJF-ja. Derisa trajneri Driton Kuka thotë se Laura ka hapësirë për të përparuar dhe e sheh si shpresë për Los Angles 2028.
“Është e pabesueshme paraqitja e saj. Ajo meritoi fitoren dhe përfundimisht ka hapësirë për të përparuar ende. Është shpresë jona e madhe për Los Angeles 2028, por me këtë formë ka gjasa të mira edhe për medalje olimpike vitin tjetër në Paris. Jam vërtet krenar”, ka thënë trajneri Driton Kuka.
Laura ka pritur se do të zë vend në podium, por e ka befasuar medalja e artë. Ka thënë se është ndier mirë gjatë tërë ditës dhe se nuk ishte nervoze. Triumfin e ka vlerësuar të merituar.
“Kam mësuar nga gabimet në Mastersin e kaluar. Kur e kam kuptuar se do të përballem me kundërshtare të njëjtë në finale, kam menduar se mund ta befasojë. Ia dola të bëjë këtë”, ka thënë Laura Fazliu. Ajo e di që triumfi në Masters është hap i madh. Por synimi kryesor i Laurës është medalja olimpike.
Laura tashmë njihet nga bota e xhudos. Sakrifica e saj po shpaguhet. Sukseset kulmore po vijnë dhe shpresat për medalje olimpike po rriten me të madhe. Laura përveç të artës së fituar në Mastersin e Budapestit të Hungarisë, ajo ka edhe medalje të argjendtë evropiane, medalje të argjendtë edhe nga Mastersi, ndërsa medalje argjendi e bronzi nga garat Grand Slam e Grand Prix