Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dhënë detaje në lidhje me procedurat për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat në veri.
Ai ka sqaruar se Grupi punues i themeluar duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë deri me datën 1 shtator të këtij viti, duke pohuar se kjo do të vlejë për gjithë vendin e jo vetëm për veriun.
Ai ka sqaruar se ndonëse kishin nisur ndryshimet e ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kjo nuk u mundësua për shkak se duheshin 2/3 e votave të deputetëve të komuniteteve.
Krasniqi nga Lipjani, shtoi se dorëheqja e kryetarëve nuk mund të kërkohet, por që duhet të vendoste me mekanizma ligjore, siç është në këtë rast peticioni.
“Grupi ka afat një muaj që ta bëjë draftin dhe mandej të jetë nga 1 shatori udhëzim, mirëpo çka është e rëndësishëm ky është udhëzim që buron nga ligji nuk vlen vetëm në veri, mund të shfrytëzohet nga të gjitha komunat. Unë jam shumë i bindur që do të jetë profesional. Kryetarët në veri kanë fituar mandat, dorëheqja nuk mund të kërkohet nga asnjë institucion tjetër përveç se me peticion nga qytetarët”, ka thënë ai gjatë vizitës në Komunën e Lipjanit, raporton Ekonomia Online.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka formuar grupin punues për hartimin e udhëzimit administrativ i cili do të mundësonte shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri përmes peticionit të qytetarëve.
Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.
BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.