Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, thotë se janë duke punuar për të siguruar votat për rrëzimin e Qeverisë Kurti, megjithëse thotë se nuk do të ketë nevojë për mocion votëbesimi, pasi shprehet e bindur se Qeveria do të dorëhiqet.
Për mocionin e ngritur nga partia e AAK-së, Bytyqi thotë se dy partitë opozitare PDK dhe LDK, janë gati në dakordim që ta mbështesin mocionin e nisur nga partia AAK për rrëzimin e Qeverisë.
Bytyqi thotë se në fillim kur është diskutuar mocioni, PDK dhe LDK nuk kanë qenë shumë të interesuar.
“Në fillim kur e kemi diskutuar mocionin LDK dhe PDK nuk kanë qenë fort të interesuar që të mundë të nisë mocionin, mirëpo tash janë gati në dakordim që të vazhdojmë ne me mocionin. Nuk do të thotë që patjetër duhet me qenë gjithmonë unik partitë opozitare, mirëpo atë çka e shohim të arsyeshme ne dakordohemi”, tha Bytyqi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Deputetja thotë se nisma për mocionin do të vazhdojë në muajin shtator, ku do të ketë edhe dakordime nga deputetë e pozitës.
“Për mocionin është shumë i rëndësishëm në shtator, do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm dhe të dakordohemi me deputetët e opozitës, por edhe me deputetë të cilët janë të pakënaqur, ku tash e kemi edhe Fatmir Homollin, Haki Abazin, me të cilët do ta diskutojmë. Haki Abazi ka thënë që nuk do të votoj për rrëzimin e qeverisë, për me nisë mocionin mendoj që na jep votën dhe për momentin na duhet ta nisim t’i kemi nënshkrimet për mocion dhe kur vjen fundi i votave për rrëzimin e qeverisë aty do të ketë tani ndryshime shumë të mëdha sepse ne e dimë që ka shumë deputetë të pakënaqur në Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ajo.
Tutje, Bytyqi thotë që presin se 10 deri në 12 deputetë nga LVV dhe Lista Guxo të jenë pjesë e nënshkrime për rrëzimin e qeverisë.
“Do të fillojmë në shtator se kush është i interesuar do të ia vendosim letrën përpara, që ai që është i interesuar me nënshkrua. Presim që 10 deri në 12 deputetë nga LVV të jenë pjesë e nënshkrime”, tha ajo.
Sipas Bytyqit, me “skandalet e shumta, të cilat po i vijnë Qeverisë Kurti”, kjo qeveri vetë do të dorëhiqet.
“Pas gjashtë muajsh ne do të vazhdojmë prapë ta nisim mocionin tjetër, kështu që nuk na mbetet gjë tjetër se zgjedhjet veçse po vijnë, kështu që me skandalet e shumta të cilat po i vijnë Qeverisë Kurti ata vetë kanë me u dorëheq e nuk kanë me pas nevojë për mocione”, shtoi ajo./teve1.info/