Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas dështimit të raportimit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi në Komisionin për Integrim Evropian.
Hoti ka thënë se kjo nuk është hera e parë që kryenegociatori i Kosovës për dialog nuk raporton në Komisione të Kuvendit, teksa i ka kujtuar Bislimit, që raportimin e ka obligim kushtetues.
“Nuk është hera e parë që kryenegociatori i Kosovës për dialog nuk raporton në Komisione të Kuvendit. Raportimi i Qeverisë në Kuvend për dialogun nuk është në vullnetin e saj, por është obligim kushtetues. Nuk është mund t’i iket kësaj përgjegjësie”, ka shkruar Hoti në një postim në “Facebook”.
Më tutje ai quajti degradim të dialogut.
“Është për keqardhje degradimi i dialogut nga takimet e nivelit më të lartë në Uashington e Bruksel për Marrëveshje finale, ligjërisht e obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, në dialog nëpër hotele të plazheve, në Bratisllavë e në Ohër për marrëveshje të ndërmjetme që e lënë problemin hapur për dhjetë vitet e ardhshme”, shkroi më tutje ai.