Policia e ka arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë A.H. i moshës 17 vjeçare, i dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij mbrëmjen e së enjtes në Viti, raporton teve1.info
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha për teve1.info se i ndjeri rreth orës 10:00 kishte kërkuar ndihmën mjekësore në Viti pasi dyshohet se kishte pësuar lëndime të rënda trupore nga mjeti i mprehtë.
Ndërsa pas tretmanit mjekësor është transferuar në Spitalin e Gjilanit ku edhe është konstatuar vdekja e tij nga mjeku kujdestar.
Sipas Hashanit, rasti nga Policia është iniciuar si vrasje kurse trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Viti me datën 20.07.2023 rreth orës 21:45 nga emergjenca e Vitisë ka pranuar informacion se një person i moshës rreth 17 vjeçar (mashkull, kosovar shqiptar) ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi i njëjti dyshohej se ka pësuar lëndime të rënda trupore të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. I njëjti pas tretmanit të marrë në emergjencën e Vitisë është transferuar në spitalin rajonal të Gjilanit ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekjen e viktimës si pasojë e plagëve të marra.
I dyshuari A.H. (viti i lindjes 2006, mashkull kosovar shqiptar) është arrestuar dhe nga prokurori i shtetit ndaj ti është lëshuar vendimi mbi ndalim për 24 orë.
Njësiti i hetimeve rajonale Gjilan në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke i hetuar rrethanat e rastit.
Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti “Vrasje” dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë për obduksion”, ka thënë Hashani.