Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, tregon se rreth 10 mijë euro janë harxhimet për përgatitjen e një kadeti policor.
Ndërsa për tërheqjen e zyrtarëve policorë, Zeqiri thotë se sado që është e dëmshme për shtetin është edhe për institucionin policor.
“Sa është e dëmshme i kushton shtetit, edhe vetë institucionit policor, është një kosto e lartë që të bëhet përgatitja e një zyrtari policor fillimisht vetëm gjatë kryerjes së akademisë, llogaritet rreth 10 mijë euro harxhime për një kadet policor, mandej edhe trajnimet e tjera shtesë në vazhdimësi gjatë viteve të punës që bëhen në polici”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Zeqiri tregoi që shumica e policëve që kanë dhënë dorëheqje janë zyrtarë policorë të karrierës me një përvojë dhe eksperiencë të gjatë.
“Shumica e zyrtarëve policorë që po japin dorëheqje janë zyrtarë policorë të karrierës me një përvojë dhe eksperiencë jashtëzakonisht të lartë. Të gjitha këto dorëheqje edhe për neve si sindikatë edhe për institucionin policor duhet të jenë shqetësuese edhe për shtetin, sepse jemi institucioni i vetëm i sigurisë në vend”, tha Zeqiri.
Ai tha se dorëheqjet po ndodhin për shkak të kushteve, pagave, si dhe mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë.
“Si pasojë e këtyre dorëheqjeve ne hupim profesionistë dhe normal ndihet mungesë dhe dobësohemi si institucion. Arsyet e dorëheqjeve po ndodhim për kushte, sidomos këtyre muajve të fundit për shkak edhe të një page të pamjaftueshme, si pasojë edhe e mosekzekutimit të shtesave të rrezikshmërisë dhe kushteve të tjera që po na përcjellin me vite të tëra”, shtoi ai./teve1.info/