Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një shkrimi në “Twitter” ka “thumbuar” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin duke thënë se ka politikanë “që u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë në Veriun e Republikës”.
Rama ka thënë se politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë me vepra se rajoni i përket Procesit të Berlinit dhe jo ëndrrave të Kremlinit.
“Politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që disave prej tyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë në Veriun e Republikës”, ka shkruar Rama, në ditën kur Këshilli Evropian ka nisur diskutimet mbi tensionet e fundit në veriun e Kosovës.
Kryeministri shqiptar e ka përshëndetur përparimin e idesë së tij për konferencë të nivelit më të lartë, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e planit franko-gjerman mes Kosovës dhe Serbisë, ide kjo që u mbështet nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Sipas Ramës, në vend se të ketë bashkim të rajonit, “veriu i Kosovës po i ofron botën shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të Vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen e kufijve të Bashkimit Evropian”.
“Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal”, ka shkruar Rama.
Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës të nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë, çka sot e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel🇪🇺
Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga… pic.twitter.com/dtYk5qU2JT
— Edi Rama (@ediramaal) June 29, 2023