Elbasan Rashani është larguar nga grumbullimi me Përfaqësuesen e Kosovës për shkak të lëndimit.
Kështu ka njoftuar të enjten Federata e Futbollit e Kosovës në faqen zyrtare.
“Mesfushori sulmues i Kombëtares së Kosovës, Elbasan Rashani ka pësuar një lëndim, për shkak të të cilit nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Alain Giresse për dy ndeshjet kualifikuese kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë për ‘Euro 2024’”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.
Rashani ka bërë ekzaminime të hollësishme mjekësore nga stafi mjekësor i Përfaqësueses së Kosovës, dhe është liruar nga grumbullimi për të vazhduar me procedura të rikuperimit.
Kosova të premten mbrëma luan kundër Rumanisë, ndërsa tri ditë më pas, udhëton në Budapest për t’u përballur me Bjellorusinë.