Besim Aliu koordinator në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës ka deklaruar se ky Institut ka probleme të theksuara me staf.
Aliu në emision “Ditari” në Tëvë1, theksoi se asnjë Qeveri deri më tani nuk ka punuar asgjë në këtë drejtim, pavarësisht ankesave të shumta.
“Paisjet qe ka Instituti tani janë konkurrente me shtetet fqinje, bile edhe janë më të fuqishme se shtetet fqinje pasi që kemi stacione automatike do të thotë profesionale, dikund 16 janë bërë deri më tani. Kujtojmë që brenda një periudhe shumë të shkurtë do të furnizohemi edhe me 14 stacione gjë që deri në fund të këtij viti do ti kemi 30 stacione meteorologjike që do ti forcojmë nevojat edhe për viset e larta, edhe për viset mesatare, dhe të ulëta. Në aspektin e teknologjisë jemi në rregull por, kemi probleme shumë të mëdha me staf, do të thotë nuk kemi staf, por që asnjë Qeveri nuk ka punuar asgjë në lidhje me stafin. Meqë jam punëtor i parë prej kur kam filluar punën, nuk janë marrë më punëtorë të ri në sektorin e meteorologjisë”, tha ai.
Teksa theksoi se momentalisht në Kosovë janë vetëm katër meteorologë, numër ky shumë i vogël krahasuar me vendet e rajonit për të cilat Aliu tha se numri shkon mbi 300 meteorologë.
“Në Kosovë jemi vetëm katër meteorologë kurse shtetet fqinje janë mbi 100, 300 e më shumë te ne jemi vetëm katër. Është një staf shumë simbolik mos të themi shumë i paktë. Asnjëra Qeveri nuk ka marrë veprim që të ndikojë. Unë personalisht kamë shumë ankesa në këtë drejtim pra iu kam dertuar edhe Ministrisë së Mjedisit edhe ministrit Aliu por që tani nuk kemi përgjigje. Edhe kur marrim staf duhet të qohet jashtë shtetit për tu trajnuar për shkak se në Kosovë nuk kemi shkollë adekuatë për këtë fushë”, tha Aliu.
Kurse sa i parket motit i cili po mbizotëron në vendin tonë, ai tha se pas datës 18 dhe 19 qershor pritet që në Kosovë të kemi mot më stabil, më të nxehtë dhe me temperatura mbi 25 gradë Celcius.
“Intensiteti i rreshjeve do të bie nga data 18 apo 19 qershor dhe pastaj do të kemi orë më shumë me diell, do të kemi mbi 10 orë me diell dhe temperaturat do të rriten. Kjo javë shkon kështu me këto temperatura 20 deri 24 gradë. Ditën e mërkurë pastaj sërish bien temp 20-21 gradë, por që nga data 18 dhe 19 do të kemi mbi 25 gradë temperatura dhe ato grafiku në fushat termike do të jetë gjithmonë në rritje”, shtoi ai./teve1.info./