Rrugën për në shkollë, po e bëjnë si çdo ditë tjetër.
Por, nxënësit e klasës së tretë në Damanek të Malishevës, këtë të mërkurë, mësimin nuk do ta zhvillojnë në klasën e tyre.
Kjo pasi të hënën një pjesë e fasadës së tavanit të kësaj klase ra në tokë.
E gjitha ngjarja kaloi pa ndonjë lëndim, ani pse në klasë kishte nxënës.
“Po është shumë e vërtet që ka pasur një defekt, një pjesë e fasadës e kulmit ka ranë në kohën kur kishte mësim në ora 14:00. Fatmirësisht lëndime në nxënës nuk ka pasur…Në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, nxënësit i kemi dërguar në klasën tjetër dhe mësimi normalisht po zhvillohet. Na kanë premtuar që shumë shpejt do të vinë dhe do ta rregullojnë”, u shpreh drejtori i shkollës, Eqir Kastrati.
E ky incident në këtë shkollë, nuk ishte i pari i këtij lloji.
Rënie të tilla të fasadës, u raportuan edhe vite më parë.
Për këtë janë në dijeni edhe në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Komuna e Malishevës.
“Është investim i Bashkimit Evropian. Ka ndodh është e vërtetë që edhe para tetë vite ka ndodh edhe dje. Komuna e Malishevës ka intervenuar në atë pjesën ku ka ndodh më herët, do të intervenoi gjithsesi edhe në pjesën tjetër. Krejt çka mund të them unë pjesa e sipërme apo pjesa e tavanit lart sipas zyrtarëve që kanë shkuar edhe e kanë pa gjendjen, ata që janë profesional në këtë çështje nuk parashohin rrezik më që të bjerë një pjesë tjetër”, ka deklaruar drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëresha Krasniqi.
Ndryshe, objekti shkollor në Damanek u ndërtua në vitin 2015.






