Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, kanë pritur në takim sonte emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.
Bëhet e ditur se në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për de-eskalim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes Bazike e Aneksit të zbatimit.
Në komunikatë thuhet se Kurti ka ftuar Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.
Teksa sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të reja kryeministri ka theksuar se vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme.
“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj. Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhet në komunikatë.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”, thuhet tutje./teve1.info./