Për 3 muaj janë gjobitur rreth 30 biznese në Kosovë për shkak të mashtrimit me origjinën e produkteve.
Kjo duke u ndryshuar origjinën produkteve me flamuj nëpër rafte dhe duke i vënë simbolet e Kosovës dhe Shqipërisë mbi produktet serbe.
Mashtrimet nga disa pronarë të marketeve në vend me origjinën e produkteve i ka vënë në konfuzion qytetarët konsumatorë. Kjo duke u ndryshuar origjinën produkteve me flamuj nëpër rafte, dhe duke i vënë simbolet e Kosovës dhe Shqipërisë mbi produktet serbe.
Qytetarët e shumtë e kanë vërejtur këtë mashtrim dhe kanë fotografuar produktet e maketeve si dëshmi faktike të mashtrimeve nga ana e tyre, kështu duke i shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale sidomos në fushatën “Besa-Besë”. Fushatë kjo për bojkotimin e produkteve serbe.
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë thënë se për këtë lloj shkelje, inspektorati i tregut gjatë periudhës janar-mars 2023 ka realizuar 119 inspektime dhe ka shqiptuar 30 gjoba ndaj bizneseve.
Po ashtu sipas kësaj ministrie, gjatë vitit 2022, inspektorati ka realizuar 663 inspektime dhe ka shqiptuar 181 gjoba dhe 40 kërkesa për inicim të procedurës kundërvajtëse në gjykatat kompetente.
“Vetëm inspektorët në sektorin e tregut ( i cili sektor është përgjegjës për inspektimin edhe të marketeve) , gjatë vitit 2022 ka realizuar 663 inspektime dhe janë shqiptuar 181 gjoba dhe 40 kërkesa për inicim të procedurës kundërvajtëse në gjykatat kompetente, kurse nga muaji janar-mars 2023 janë realizuar 119 inspektime dhe janë shqiptuar 30 gjoba”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.
Për më tepër sipas MINT-it, Inspektorati i Tregut, çdo ditë pranon ankesa dhe njoftime të konsumatorëve, po ashtu edhe për mungesë apo ndërrim të etiketës së flamurit të shtetit të origjinës së produkteve.
Për mashtrimet e origjinës së mallrave, masat ndëshkuese janë prej 1 mijë euro deri 10 mijë euro.
“Inspektorati i Tregut çdo ditë pranon ankesa dhe njoftime të konsumatorëve, ndër të tjera edhe për mungesë apo ndërrim të etiketës së flamurit të shtetit të origjinës së produkteve. Vendosja e etiketës, që tregon flamurin e shtetit të origjinës së produktit është obligim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ka për qëllim të njoftohet konsumatori në mënyrë sa më të qartë dhe të lehtë lidhur me origjinën e produkteve që blen apo konsumon. Inspektorati i Tregut, në çdo rast kur konstaton se etiketa e flamurit e shtetit të origjinës së produktit nuk është vendosur sipas ligjit apo etiketa është ndërruar me flamurin e ndonjë shteti tjetër. Operatori ekonomik urdhërohet të veprojë sipas obligimit ligjor dhe ndaj të njëjtit shqiptohen masa ndëshkuese”, thuhet në përgjigje me shkrim.
Pas fushatës kundër prodhimeve serbe, Burim Piraj nismëtar i grupit “Besa – Besë”, thekson se nuk ka rritje të deficitit tregtarë, por siç shton ai për shkak të rritjes së çmimeve po figurojnë statistikat e se ka import më të lartë nga Serbia.
Ai ka akuzuar disa pronarë të bizneseve se nuk i vendosin flamuj fare rafteve ku janë të vendosura produktet për t’i shitur produktet serbe, të cilat edhe kanë në fund të afatit të skadencës.
Piraj: Disa nga marketet nuk vendosin flamuj fare
“Produktet me origjinë të vendeve të tjera nuk ka pasur ndryshim të flamujve, pikërisht në produktet serbe po ka të tilla probleme, do të thotë se pronarët e marketeve po i ndryshojnë ato ose edhe punëtorët. Firmat të cilat po i importojnë këto produkte po mundohen në mënyra të ndryshme të bëjnë manipulime që produktet të shiten me origjinë nga Serbia, të cilat janë në fund të afatit të skadencës. Dhe këtë duket se shitësit kanë panik të shitjes së këtyre produkteve… Ka markete që nuk i ka vendosur flamujt fare, ne sa kemi pasur mundësi kemi bërë raportime tek inspektorati i tregut”, tha Piraj.
Deputeti nga radhët e PDK, Hisen Berisha tregon për një fenomen që po ndodhë në pjesën veriore të vendit.
Berisha thekson se në pjesën veriore të vendit disa punëtorë paguhen me nga 20 euro për ndërrimin e tiketave të pijeve serbe, siç thotë ai për t’iu vendosur tiketa me origjinë të Shqipërisë, me qëllim që të rikthehen sërish në shitje në tregun e Kosovës.
Ndërsa, qytetari Shpetim Kastrati thotë se mashtrimet nga marketet po ndodhin çdo herë.
“Jo vetëm flamujt që po ndryshohen, por po ndryshohet edhe çmimi, tek rafti e vendosin me zbritje kurse tek arka e vendosin me çmimin tjetër, se ajo që i ndërrojnë flamujt nuk diskutohet, ajo më ndodh çdo herë sa herë shkojë në markete. Unë nuk po habitem, sepse jemi mësuar, vetëm me mashtrime pothuajse prej që e mbaj mend vetën kemi pasur kësi mashtrime të tilla, me dal ndonjë herë e vërteta mund që të habitem se për të tilla raste jo”, tha Kastrati.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës(ASK), importet nga vendet e CEFTA-së, në muajin mars 2023, arritën në 92.5 milion euro, ose 18.2% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 0.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia me 5.8%, Shqipëria me 5.5%, dhe Maqedonia e Veriut me 5.0%.
Vetëm në muajin mars të këtij viti, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 29 milionë e 286 mijë euro.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.3% në muajin mars 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, përkatësisht në vlerë prej 426.8 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 405.3 milion Euro në vitin 2022. Ndërsa, eksporti mbulon importin me 16.1%./KP/