Ka nisur protesta e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me kërkesën për rritje të pagave. Me këtë rast, kryetari i Sindikatës së Re së KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se edhe pse janë dalë të shprehin pakënaqësitë, ata “edhe po prodhojnë energji elektrike”.
Llumnica bëri të ditur se bordi u kishte premtuar që në fund të muajit prill do i shikojnë pasqyrat financiare, por kjo sipas tij nuk ka ndodhur, përcjell teve1.info
Tutje, ai theksoi se kryesuesi u kishte thënë “pritni deri në fund të majit për me ua dhënë një shpërblim”.
Sipas tij, kërkesa e tyre është për rritje të pagave, e jo shpërblime.
“Edhe pse jemi këtu të shprehim pakënaqësi, shprehim pakënaqësi edhe prodhojmë energji elektirke. E di që jeni ndoshta edhe jo shumë të kënaqur me ne si Sindikata, por bëhuni të bindur se disa individë këtu brenda, sidomos Bordi i KEK-ut që na ka gënjy dhe me shkrim, jo vetëm verbalisht, që na ka premtu që në fund të prillit do të shikojmë pasqyrat financiare…por kjo nuk ndodhi. Kur e njoftuam kryesuesin që ka ardhur fundi i prillit, a e din çka na tha – pritni deri në fund të majit për me ua dhënë një shpërblim. Kërkesa e Sindikatave është për ngritje të pagave, jo për shpërblime”, deklaroi ai në fjalën e tij para protestuesve.
Llumnica po ashtu kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të ndikojë te menaxhmenti, për rritje të pagave.
“Marre me rrejt”, “Punëtorët të rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet”, “Puna e rëndë por ushqimi i lehtë”, janë disa nga shkrimet në pankartat që po mbajnë protestuesit.
Kjo protestë po mbahet para zyrave të kësaj ndërmarrjeje në sheshin “Nënë Tereza”. /Teve1.info/
https://teve1.info/lajmet/marre-me-rrejt-punetoret-e-kek-ut-fillojne-protesten/