Sot në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës, kryetari i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit, Ahmet Grajqevci thotë se vështirë që do të ketë rezultat të mirë me Serbinë.
Ai theksoi se nëse nuk do kishte dialog me Serbinë, ajo nuk do t’i tregonte kurrë krimet e kryera.
Sipas Grajçevcit, pa një trysni të madhe të Bashkësisë ndërkombëtare, marrëveshja me Serbinë nuk do të mund të arrihet.
“Atë ditë kur të vetëdijësohet Serbia, demokratizohet Serbia, çdo proces brenda dy muajsh bie ne binarë. Serbia fsheh krime të luftës, edhe në Kroaci, edhe në Bosnje, edhe në Kosovë. Dhe është një dialog, është i pashmangshëm, sepse nëse nuk kemi dialog, kurrë Serbia nuk do t’i tregon. Por nuk do t’i tregon pa edhe një trysni të madhe të Bashkësisë ndërkombëtare. Unë po e them që jemi skeptik që do të arrihet kjo marrëveshje, pa një trysni të madhe të Bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi ai në “Ditari” në Tëvë 1.
Grajqevci potencoi se Serbia e ka të dokumentuar të gjithë procesin e krimeve të luftës, dhe kjo është arsyeja qe kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar që të hapen arkivat serbe.
“Nga dëshira, Serbia kurrë nuk do të tregojë asnjë gjë. Se ajo e di mirë se si i ka kry. Të gjithë procesin e krimeve të luftës e ka kry në mënyrë komanduese dhe administrative. Dhe çdo gjë e ka të evidentuar, dhe të ingjizuar dhe të skenuar mirë e mirë. Dhe kështu që, kryeministri ka kërkuar që të hapen arkivat e Serbisë, nëse do t’i gjejmë arkivat serbe. Sepse ata dijnë të manipulojnë me dokumentacion, ata rrenën e bëjnë të vërtetë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se “pajtim me Serbinë kurrë nuk ki me ba, me këtë shtet dhe pushtet që e ka, kurrën e kurrës”.
Kosova shënon sot Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës, ku edhe pas 24 vjet pas lufte ende nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 621 personave të zhdukur me dhunë nga forcat serbe. /Teve1.info/