ChatGPT është një vegël, e cila tenton ta kuptojë gjuhën natyrale dhe mundohet që të krijojë fjali varësisht nga fjalët paraprake që janë përdorur. Kështu ka treguar në emisionin “ResPublika”, inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku.
Sadiku ka thënë se ChatGPT ka aftësinë që 10 miliardë tekste t’i lexojë e më pas ka fuqinë që t’i renditë që cila fjali pason pas asaj që është shkruar.
“ChatGPT është një vegël, e cila përkrahë OpenAI, që është procesim i gjuhës, pra tenton ta kuptojë gjuhën natyrale që e përdorim, dhe mundohet të krijojë fjali varësisht prej fjalëve paraprake që ti ia jep, ose prej një ‘promo’, fjali hyrëse që ne ia dhurojmë. Nuk është që e kupton ajo teknikisht ose subjektivisht çka është duke shkruar? Por, kryesisht me metoda matematikore krijon fjali duke e ditur dhe duke përdorur fjali, e cila e ka probabilitetin më të madh që me ardhë pas një fjale e cila ekziston. Nëse ia jep 10 miliardë tekste me i lexu, ajo e ka fuqinë që gjithmonë pas kësaj fjale po vjen kjo, dhe pas kësaj fjalisë po vjen kjo. Dhe, nëse kjo fjali është, kjo fjali vjen zakonisht pas asaj, sepse qashtu matematikisht ndodhë. Kjo është mënyra se si funksionojnë këto algoritmet”, ka thënë Sadiku në Tëvë1.
Ai ka thënë që në prapavijë të ChatGPT qëndron kryesisht matematika dhe teknologjia.
“Neve na duket diçka shumë e çuditshme, thua se është dikush, një person mbrapa atje duke u përgjigj, aq bukur janë të shkruara. Prapavijë është kryesisht matematikë edhe teknologji”, ka treguar njohësi i çështjeve teknologjike.
Sadiku ka treguar edhe mangësinë që njerëzit e kanë shfaqur për veglën komunikuese, ku ka thënë se nuk është makinë kërkuese siç është Google, por është një inteligjencë artificiale e cila i kombinon fjalët.
“Një mangësi që njerëzit e kanë shfaq për ChatGPT, është se kanë thënë se nuk po kthen përgjigje të reja, nuk po i kupton do sene, sepse njerëzit e kanë përdorur ChatGPT thua që është ajo një makinë kërkuese, kanë menduar që po flasin në Google. Google është e përditësuar, i ka të gjitha informatat sepse ajo kërkon çfarë ka në internet dhe ato informata i shfaq. ChatGPT nuk është makinë kërkuese, është vetëm një ‘AI bot’, i cili i kombinon fjalët edhe informata që është ‘ushqyer’ i ka pak më të vjetra dhe i ka të caktuara deri në një ditë. Ajo nuk e din rezultatin në futboll që është luajtur para një ore, qysh e din Google”, ka thënë Sadiku.
Në mënyrë që ChatGPT të bëhet edhe më interesant, Sadiku ka treguar që kompania Microsoft është duke punuar që ta integrojë edhe një makinë kërkuese.
“Tash tentativa e Microsoft-it, që është njëri prej përkrahësve më të mëdhenj financiar të OpenAI, është që me i integru këtë chat-mjet të komunikimit bashkë me një makinë kërkuese, edhe me u mundu që me i bë të dyja bashkë që kishte me qenë shumë interesant për përdoruesit”. /teve1.info/