Një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarit U.H., i cili dyshohet se ka vrarë mbrëmë nënën e tij.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Pejës, i dyshuari po hetohet për vepër të rëndë penale, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjetë burgim ose me burgim të përjetshëm, përcjell teve1.info
Në njoftim, thuhet se i dyshuari posedon leje qëndrimi jashtë shtetit dhe se është vlerësuar se ka rrezik të lartë që nëse ai gjendet i lirë apo në masa tjera, mund të arratiset.
“Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit U.H, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar. 1.3 dhe 1.4 të KPRK-së. Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftim. /Teve1.info/
https://teve1.info/lajmet/gjithcka-qe-dihet-per-vrasjen-e-rende-ne-peje-ku-dyshohet-se-i-biri-privoi-nenen-nga-jeta/