Në një rrëfim për Tëvë1, veterani Jakup Berisha tregon ngjarjen më të dhimbshme të jetës së tij kur forcat e armatosura serbe vranë e masakruan gjashtë familjarët e tij. Pas luftës në fshatin Siqevë, kishte ardhur edhe vet ish-kryeprokurorja në Tribunalin e Hagës, Carla Del Ponte. Por kjo e fundit, kishte filluar të qeshte me viktimat.
Dhomën ku jetoi për shumë vjet e mban në mend në detaje. Por nga aty, Jakup Berisha, i ka edhe kujtimet më të rënda të jetës së tij. Kjo pasi me 16 maj të vitit 1999, nga kjo anë e malit, forcat paramilitare serbe, zbritën ne fshatin Siqevë të Prishtinës.
E nga aty, ia mësynë shtëpisë së familjes Berisha.
Siç shihet edhe në këtë video të asaj kohe, brenda këtyre dhomave, forcat serbe vranë e masakruan 6 anëtarë të kësaj familjeje.
E atë kohë, veterani Jakup Berisha, ishte në një aksion të UÇK-së, në një pjesë tjetër të fshatit.
“Ne nuk ishim atë ditë këtu për momentin, kur kemi tentuar me i nxjerr prej këtu, kemi qenë përballë forcave serbe, ka pas forca të mëdha serbe, tri ditë janë stacionuar këtu…”, ka deklaruar ai.
Berisha ka treguar edhe për momentet, kur hyri brenda shtëpisë.
“Në shtëpi kanë qenë nëna ime Shehidja, Vahide dhe Jahir Berisha. Kurse jashtë shtëpisë e kishin bartur babën, Sylejman Berisha…”, ka shtuar ai.
Edhe varrimin e tyre, Jakup Berisha thotë se e bënë nën frikën e një sulmi tjetër nga serbët.
E 45 ditë më pas të vrarët u zhvarrosen nga këtu, e u varrosen në varrezat e fshatit.
Por, trupat e martirëve të vrarë, do të zhvarroseshin edhe një herë tjetër.
Kjo pasi një ekip ndërkombëtaresh në krye me ish-kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, erdhën në Siqevë për ta bërë obduksionin e viktimave.
E, Berisha e mban në mend në detaje, sjelljen e ish-kryeprokurores, para trupave të familjarëve të vrarë.
“Unë po i tregoi Carla del Pontes, ajo filloi të më marrë në pyetje, dikur e mori sikur të mos jetë gjë, e filloi të qeshte. Unë e kuptova që ajo është kundër nesh”, ka shtuar ai.
Trupat e familjarëve të vrarë të familjes Berisha, tani pushojnë në varrezat e fshatit Siqevë.
Ndërkohë vet Carla del Ponte, kishte dështuar në padinë e saj kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.
Në vazhdim, ndiqeni storien e përgatitur nga gazetari, Fidan Zejnullahu.